Agjencia detare e OKB-së: 400 anije të bllokuara në Gjirin Persik për shkak të luftës në Lindjen e Mesme

Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) njoftoi të premten se 400 anije dhe 6.000 detarë kanë mbetur të bllokuar në Gjirin Persik, gjashtë muaj pas fillimit të luftës në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
“Ndërsa disa anije dhe ekuipazhet e tyre kanë mundur të largohen nga Gjiri, deri në 400 anije me rreth 6.000 detarë nuk kanë mundur të largohen në mënyrë të sigurt që nga fillimi i konfliktit”, tha kreu i IMO-së, Arsenio Dominguez. Ai e përshkroi situatën në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore strategjike përmes së cilës kalon një e pesta e tregtisë globale të naftës, si “të pazgjidhur”.
Agjencia e OKB-së ka verifikuar të paktën 70 sulme ndaj transportit ndërkombëtar detar që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, të cilat kanë rezultuar në vdekjen e 19 detarëve.
Dominguez theksoi se ndërprerja e zinxhirëve jetikë të furnizimit me karburant dhe plehra kimike ka pasoja “të rënda” për komunitetet dhe ekonomitë në mbarë botën. Ai vuri në dukje se situata është veçanërisht shqetësuese për mijëra punëtorë “të pafajshëm”, të cilët jetojnë në kushte të “rrezikut dhe pasigurisë së shtuar”.
Dominguez bëri thirrje për një “vullnet të ripërtërirë politik” nga shtetet anëtare dhe industria e transportit detar për të rivendosur lirinë e lundrimit përmes kësaj rruge ujore.
SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor dhe nisën negociatat drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Megjithatë, bisedimet më vonë ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me garancitë e sigurisë dhe lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.



