Erdogan: Turqia kërkon aleanca më të forta dhe më pak mosmarrëveshje në botën islame

Ankaraja po punon për forcimin e aleancave dhe reduktimin e mosmarrëveshjeve, si brenda vendit, ashtu edhe në mbarë botën islame, deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
“Ne besojmë se ka virtyt në unitet; po punojmë për të forcuar aleancat dhe për të reduktuar mosmarrëveshjet si mes nesh, ashtu edhe në mbarë botën islame”, tha Erdogan të premten gjatë fjalimit të tij në programin e Javës së Mevludit, organizuar me rastin e lindjes së Profetit Muhamed, në Stamboll.
Presidenti Erdogan tha se shpreson që myslimanët, “të cilët për shekuj me radhë kanë formësuar historinë dhe i kanë sjellë rend botës”, të ribashkohen “si tullat e një muri”.
Ai theksoi rëndësinë e unitetit mes myslimanëve, duke u bërë thirrje atyre të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të bashkëpunojnë për ndërtimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
“Po kalojmë nëpër një luftë historike mes së mirës dhe së keqes dhe, me vullnetin e Zotit, e mira do të triumfojë”, shtoi Erdogan.
Ai paralajmëroi se “ideologjia radikale, pushtuese dhe gjenocidale e njohur si sionizëm” jo vetëm që kërcënon paqen e vendeve fqinje, por gjithashtu vë në shënjestër të gjithë ata që mbrojnë vlerat njerëzore.
Erdogan tha se bota nuk po i përgjigjet në mënyrë të mjaftueshme “politikave të paligjshme të rrjetit gjenocidal izraelit, të cilat shpërfillin rregullat, parimet, vlerat dhe kufijtë”.
Presidenti turk deklaroi se qeveria izraelite, e cila është “e fiksuar pas luftës”, po përdor provokimet për të destabilizuar të gjithë rajonin, duke nisur nga vendet fqinje.



