Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut humbin jetën në një aksident të rëndë në autostradë në Slloveni

Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në një autostradë në Slloveni, raportojnë mediat lokale.
Sipas informacioneve të para, në aksident janë përfshirë një kamion dhe një automjet. Kamioni kishte ndaluar në anë të autostradës për shkak të një defekti, ndërsa automobili është përplasur me pjesën e pasme, në anën e majtë të rimorkios.
Në automjet ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Mjeku i pranishëm në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e tre personave.
Njëri nga të plagosurit është transportuar me helikopter në spital, ndërsa shoferi i automjetit është dërguar në spital me autoambulancë.
Policia ka njoftuar se më shumë detaje për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit do të bëhen të ditura pas përfundimit të hetimeve fillestare.


