Hapet rruga për evakuim të 5 shtetasve të RMV nga Gaza

Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur vendimin për hapjen e vendkalimit kufitar Rafah, kufiri që lidh qytetin e shkatërruar nga lufta Gaza me Egjiptin. Tani do të mundësohet evakuimi i shtetasve të huaj, përfshirë edhe pesë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që kanë mbetur të bllokuar atje prej fillimit të luftës, raporton Alfax.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë mbetur të bllokuar janë edhe një çift në të gjashtëdhjetat, bashkëshorte maqedonase dhe bashkëshort arab me tre fëmijët e tyre, që kanë jetuar me vite në Palestinë. Në tentimin e tyre për të dalë nga Gaza, ishin ndeshur me kufirin e mbyllur me Egjiptin që është opsioni i vetëm për evakuim.
“Ministria e Punëve të Jashtme njofton se shtetasit e RMV-së që ndodhen në Gaza tashmë janë të përfshirë në listat e evakuimit dhe presim që e njëjta së shpejti të realizohet sipas rrethanave në terren dhe dinamikës së evakuimit, duke pasur parasysh numrin e madh të shtetasve të huaj në Gaza, të cilët janë pjesë e këtij operacioni. Nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, si dhe me qytetarët tanë, Ministria e Punëve të Jashtme është e kyçur drejtpërdrejtë dhe në mënyrë aktive, me qëllim që shtetasit tanë të evakuohen të sigurtë dhe në kohë”, njofton Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut. Alfax.



