Mbi 90% e pishinave private në Shkup janë ndërtuar pa dokumentet e nevojshme ligjore

Gjatë valëve të gjata të të nxehtit, thatësirave kontinentale dhe presionit gjithnjë e më të madh ndaj burimeve ujore për shkak të ndryshimeve klimatike, qindra pishina private në Shkup dhe rrethinë mbushen pa e marrë në konsideratë faktin nëse sistemi i ujësjellësit mund ta përballojë shfrytëzimin e tyre, shkruan Prizma.
Përveç kësaj, pjesa më e madhe e tyre, mbi 90 përqind, janë ndërtuar pa dokumentet e nevojshme ligjore që duhet të sigurohen nga komunat. Edhe pse procedura është pothuajse formalitet – thjesht duhet të dorëzohet një kërkesë me dokumentacionin shoqërues dhe të merret vendimi, të dhënat që i siguroi BIRN tregojnë se kjo gjë është bërë shumë rrallë.
Kjo do të thotë se kushdo që ka hapësirë në oborr dhe dhjetëra mijëra euro në dispozicion mund të angazhojë një realizues që do të hapë gropë, do të vendosë pajisje dhe do të krijojë objekt për mbushjen e të cilit do të nevojitet aq sasi e ujit sa që janë nevojat mujore të dy deri tre amvisërive.
Lagje me 60 pishina
Në Shkup dhe rrethinë ka rreth 400 pishina private, ndërsa as dhjetë përqind e tyre nuk janë bërë me vendime të lëshuara nga autoritetet lokale. Këtë e tregojnë të dhënat që BIRN i siguroi përmes kërkesave për qasje në informacion me karakter publik dhe përmes analizimit të imazheve satelitore nga rajoni i Shkupit.
“Dërguam kërkesa në 17 komuna – dhjetë që bëjnë pjesë në qytetin e Shkupit (Aerodrom, Kisella Voda, Qendër, Karposh, Gjorçe Petrov, Saraj, Çair, Butel dhe Gazi Babë), si dhe në shtatë të tjerat të rajonit të Shkupit (Sopishte, Zelenikovë, Studeniçan, Petrovec, Ilinden, Haraçinë dhe Çuçer Sandevë). Nga të gjitha ato kërkuam informacion se sa vendime për ndërtimin, gjegjësisht për hapjen e pishinave kanë lëshuar në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2025”,, thonë nga BIRN.
Përgjigje, BIRN; mori nga dhjetë. Komunat Aerodrom, Butel, Petrovec, Saraj dhe Shuto Orizare u përgjigjën se nuk kanë lëshuar asnjë dokument të tillë, ndërsa nga Kisella Voda thanë se nuk kanë të dhëna. Nga ato që dhanë të dhëna, numër më të madh të vendimeve ka lëshuar Komuna e Karposhit– 13, e pas saj vjen Komuna Qendër me gjashtë, Gjorçe Petrovi me katër dhe Gazi Baba me një.
Vetëm nga Komuna Qendër dhe e Aerodromit njoftuan se kanë refuzuar kërkesa (Aerodromi një, ndërsa Qendra pesë). Sipas të gjitha këtyre të dhënave, në komunat që u përgjigjën janë lëshuar gjithsej 26 vendime për pishina. Por, imazhet satelitore të Google tregojnë se ka lagje me numër shumë më të madh.
Në imazhet satelitore numër më i madh i pishinave mund të shihen në Bardovc, rreth 60. Për më shumë se 20 vjet Bardovci po shndërrohet nga një fshat i njohur për prodhimin e lakrës në një vend me shtëpi luksoze, kështu që kjo shifër është e pritshme. Pishina në Komunën e Karposhit mund të shihen edhe në Kozle, Trnodoll, Zhdanec, Nerez, Zllokuqan dhe në vende të tjera. BIRN lokalizoi gjithsej rreth njëqind.
Në Komunën e Butelit në afërsi të Rrugës së Lubotenit ka dy komplekse të reja, njëri me 12 dhe tjetri me nëntë shtëpi. Të gjitha kanë pishina. Ne numëruam gjithsej rreth pesëdhjetë pishina në Butel, Radishan dhe në lokacione të tjera.
Kisella Voda ka rreth tridhjetë pishina në Cërniçe, Përzhinë, Pripor, Usje dhe në Pintija. Në Qendër dhe në Saraj mund të vihen re rreth 20, në Gazi Babë dhe në Aerodrom rreth 10, ndërsa në komunat e tjera të Shkupit numri i tyre është më i ulët.
Nga komunat periferike numër më të madh të pishinave ka në Sopishte, rreth 80. Ngjashëm si Bardovci dhe Zllokuqani në Karposh, edhe në këtë komunë disa fshatra si Sonje, Markova Sushica dhe Sopishte janë bërë lokacione të njohura ku shkupjanët e pasur ndërtojnë shtëpi të mëdha luksoze.
Në komunat Petrovec, Ilinden dhe Zelenikovë numëruam nga rreth njëzet pishina, kurse në njësitë e tjera lokale periferike numri i tyre është më i vogël.
Për ujin askush nuk e vret mendjen
Sipas Ligjit për Ndërtim pishinat për përdorim individual në nivel të terrenit bëjnë pjesë në objektet për të cilat nuk nevojitet leje ndërtimi, së bashku me rreth tridhjetë kategori të tjera, si garazhet, shtigjet, strehat, furrat në oborr, e të tjera.
Por, kjo nuk do të thotë se ato ndërtohen pa asnjë procedurë. Pronarët duhet të dorëzojnë në komuna dokument nga plani urbanistik ku shihet objekti në funksion të të cilit do të jetë pishina, elaborat gjeodezik, projekt ideor me fazat e arkitekturës, ujësjellësit dhe kanalizimit si dhe elektrikës, si dhe pëlqim nga fqinji i drejtpërdrejtë nëse është paraparë që pishina të bëhet në një distancë më pak se një metër e gjysmë nga oborri i fqinjit. Vendimi lëshohet nëse të gjitha dokumentet janë në rregull.
Ajo që nuk kërkohet në procedurë është mendimi nga ndërmarrjet e furnizimit me ujë, si “Ujësjellësi dhe Kanalizimet“ i Shkupit, për atë nëse rrjeti i ujësjellësit në një zonë të caktuar ka kapacitet ta përballojë mbushjen e pishinave private. Nga “Ujësjellësi dhe Kanalizimet“ konfirmuan se ata nuk kanë të bëjnë asgjë me këto vendime. Gjatë valëve të të nxehtit ndërmarrja vetëm lëshon rekomandime që të mos mbushen pishinat, të mos lahen oborret dhe të mos ujiten kopshtet.
Pishinat mbushen edhe nga puset shtëpiake, jo vetëm nga ujësjellësit publikë, por pronarët me të cilët biseduam thanë se kjo ishte një zgjidhje më pak e përdorur sepse uji i pusit duhet së pari të ekzaminohet dhe zakonisht është me cilësi më të dobët, gjë që i ngarkon më shumë filtrat dhe pajisjet e tjera.
Në Ligjin dhe në rregulloret për planifikim urbanistik, kapacitetet e infrastrukturës komunale, përfshirë këtu edhe të ujësjellësit dhe kanalizimi, detyrimisht merren parasysh gjatë përgatitjes së planeve të detajuara urbanistike për të përcaktuar se sa ndërtime mund të parashikohen në një zonë të caktuar dhe me çfarë dimensionesh.
Meqenëse për pishinat nuk nevojitet leje ndërtimi ato nuk regjistrohen në PDU dhe kushti kryesor nëse mund të ndërtohen është ajo nëse në oborr ka hapësirë të mjaftueshme.
Pa dallim të procedurës së ndërtimit pishina e ndërtuar duhet të regjistrohet si pjesë e pronës në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive. Me zgjedhje të rastësishme BIRN kontrolloi rreth njëqind shtëpi në hartën kadastrale në komunat e Shkupit dhe në rrethinë. Vetëm në dy prej tyre i gjetën pishinat e regjistruara si pjesë e pronës në fletët e pronësisë.
Informacion për shembjen e pishinave të ndërtuara pa leje pothuajse nuk ka. Në një rast të rrallë të para katër viteve një banor i Shkupit është përballë me ligjin sepse ka ndërtuar pa leje edhe shtëpi edhe pishinë në Lubanishtë.
BIRN bisedoi me tre kompani të specializuara për ndërtimin e pishinave. Të gjitha na thanë se është obligim i klientëve që ta sigurojnë dokumentacionin dhe të marrin vendim për ndërtim nga komuna. Një pjesë u përgjigjën se kjo nuk është aspak çështje që e diskutojnë me klientin, por thjesht punojnë për ta projektuar dhe ndërtuar atë për çfarë janë dakorduar.
Siç na tha një realizues i punimeve pishinat private zakonisht janë të gjata nga gjashtë deri në dhjetë metra, ndërsa të gjera nga tri deri në pesë metra. Rrallë kush bën më të mëdha. Thellësia më e shpeshtë është rreth një metër e gjysmë. Kjo do të thotë se ato kanë nga rreth njëzet metra kub ujë. Një hulumtim nga viti 2024 nxorri në pah se konsumi mesatar i ujit për amvisëri në Shkup është më pak se nëntë metra kub në muaj.
Edhe kompanitë konfirmuan se për ndërtimin e pishinave nuk nevojitet asnjë miratim nga ndërmarrjet e furnizimit me ujë. Pishinat në të shumtën e rasteve mbushen me zorrë uji ose me cisterna, nëse dikush nuk ka dëshirë të presë.
„Pronari gjithsesi e paguan faturën e ujit. Ndërsa nëse mirëmbahet mirë pishina mbushet një deri në dy herë në sezon“, tha një realizues.

