Sali: Sot hodhëm një gurthemel të rëndësishëm për të ardhmen tonë të përbashkët

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka deklaruar se fillimi i punimeve për autostradën Shkup–Bllacë përfaqëson më shumë sesa një investim infrastrukturor, duke e cilësuar projektin si një hap drejt forcimit të lidhjeve mes njerëzve, ekonomive dhe tregjeve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Sali, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka theksuar se autostrada do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe në thellimin e bashkëpunimit rajonal.

“Fillimi i punimeve në autostradën Shkup–Bllacë nuk është vetëm një investim në infrastrukturë. Është investim në lidhjen e njerëzve, familjeve, bizneseve dhe tregjeve, në zhvillimin ekonomik dhe në një bashkëpunim edhe më të fuqishëm rajonal”, ka shkruar Sali.

Ai ka bërë të ditur se në ceremoninë e shënimit të fillimit të punimeve ka marrë pjesë së bashku me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti, dhe kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami.

Sipas Saliut, autostrada Shkup–Bllacë, së bashku me zbatimin e konceptit “One Stop Shop”, do të kontribuojë në afrimin e mëtejshëm të dy kryeqyteteve.

“Me ‘One Stop Shop’ dhe autostradën Shkup–Bllacë, Shkupi dhe Prishtina bëhen edhe më pranë”, është shprehur ai.

Në përfundim, Sali ka vënë theksin te rëndësia e infrastrukturës dhe bashkëpunimit rajonal, duke e lidhur projektin edhe me perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

“Rrugët na lidhin. Bashkëpunimi na zhvillon. Evropa është e ardhmja jonë e përbashkët”, ka përfunduar Sali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button