Bekim Sali nderon Nënë Terezën: “Vepra e saj mbetet simbol i solidaritetit dhe humanizmit”

Me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje të Sistemit Politik, Bekim Sali, së bashku me një delegacion qeveritar, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule pranë pllakës përkujtimore të Nënë Terezës.
Në një njoftim, Sali tha se sot nderohet kujtimi i një prej figurave më të mëdha të humanizmit botëror.
“Sot nderojmë kujtimin e një prej figurave më të mëdha të humanizmit botëror, një gruaje që me përkushtimin, dashurinë dhe veprën e saj u bë simbol i solidaritetit, paqes dhe kujdesit për më të varfrit dhe më të pambrojturit”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se mesazhi i Nënë Terezës vazhdon të mbetet aktual edhe sot.
“Mesazhi dhe vepra e Nënë Terezës mbeten të gjalla edhe sot, duke na kujtuar rëndësinë e humanizmit, mirësisë dhe përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë.
Homazhet u zhvilluan në kuadër të aktiviteteve për shënimin e ditëlindjes së Nënë Terezës, e cila mbetet një prej figurave më të njohura shqiptare në historinë e humanizmit botëror.



