Ligjvënësi amerikan i bën thirrje Trumpit të ndalojë planet izraelite për vendbanimet në Bregun Perëndimor

Përfaqësuesi amerikan, Gregory Meeks, demokrati më i lartë në Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, i bëri thirrje presidentit Donald Trump të ndërhyjë kundër planeve të qeverisë izraelite për të avancuar ndërtimin e vendbanimeve në zonën E1 të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Meeks tha se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” për vendimin e qeverisë së kryeministrit, Benjamin Netanyahu për të hapur tenderë për më shumë se 1.200 njësi banimi në kuadër të planit për vendbanimin E1.

“E drejta ndërkombëtare është e qartë se vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme”, tha ai.

“Për dekada, administratat amerikane të të dyja partive kanë njohur pasojat veçanërisht të rrezikshme të ndërtimit në këtë zonë, pasi kjo do ta fragmentonte më tej Bregun Perëndimor, do ta ndante Kudsin Lindor nga qendrat e banuara palestineze dhe do ta minonte rëndë mundësinë e krijimit të një shteti të ardhshëm palestinez”, tha ai në një deklaratë.

Meeks tha se palestinezët meritojnë të drejtën për një shtet të qëndrueshëm të tyrin, duke shtuar se izraelitët meritojnë siguri afatgjatë dhe një të ardhme pa konflikt të pafund.

Ai paralajmëroi se zgjerimi i vendbanimeve mund ta bëjë një zgjidhje të negociuar me dy shtete “gjithnjë e më të pamundur”, ndërsa rrezikon izolim më të madh ndërkombëtar për Izraelin dhe dobësimin e mbështetjes për vendin në SHBA.

Meeks i bëri thirrje Trumpit t’ia bëjë të qartë Netanyahut se Washingtoni nuk do ta pranojë avancimin e planeve për zonën E1.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button