Kanadaja do të vendosë kundërtarifa për importet amerikane me vlerë 27,6 miliardë dollarë nga 8 shtatori

Kanadaja do të vendosë kundërtarifa prej 15-50 për qind ndaj importeve amerikane me vlerë 27,6 miliardë dollarë, duke filluar nga 8 shtatori, njoftoi të martën qeveria, transmeton Anadolu.
“Sot po njoftoj se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave të Shteteve të Bashkuara dollar për dollar dhe normë për normë”, tha ministri i Financave, Francois-Philippe Champagne, duke njoftuar masat në një konferencë për media në kryeqytetin Otava, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë ministren e Industrisë, Melanie Joly, dhe ministren e Punës dhe Familjes, Patty Hajdu.
Masat do të zbatohen për rreth 700 produkte dhe synojnë t’u përgjigjen tarifave të reja amerikane ndaj mallrave kanadeze. Çeliku, alumini, mobiliet, veshjet, telefonat inteligjentë, kozmetika dhe disa produkte ushqimore do t’u nënshtrohen tarifave prej 50 për qind, ndërsa mallrat e tjera do të përballen me tarifa prej 25 ose 15 për qind.
Paketa nuk përfshin kundërmasa që lidhen me energjinë.
Champagne tha se masat amerikane do të kenë pasoja për punëtorët, bizneset dhe komunitetet kanadeze dhe se Otava po përgjigjet në mënyrë proporcionale dhe të synuar.
“Kundërtarifat e Kanadasë janë hartuar kryesisht për të siguruar mbrojtje për industrinë kanadeze të prekur nga tarifat amerikane dhe për t’i mundësuar asaj të konkurrojë me produktet amerikane në tregun kanadez”, tha ai.
Qeveria njoftoi gjithashtu një paketë mbështetëse prej 7,5 miliardë dollarësh për punëtorët dhe bizneset kanadeze të prekura nga tarifat, përfshirë ndryshime të përkohshme në sigurimin e papunësisë dhe zgjerimin e programeve të financimit.



