Maqedonia dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin doganor, fokus te pika kufitare Bllacë–Hani i Elezit

Forcimi i bashkëpunimit operacional, shkëmbimi më i shpejtë i të dhënave, lehtësimi i tregtisë dhe avancimi i sigurisë kufitare ishin në fokus të takimit bilateral të administratave doganore të Maqedonisë dhe Kosovës, të mbajtur në Prishtinë.

 

“Vëmendje e veçantë iu kushtua konceptit One-Stop Shop në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, si një iniciativë e përbashkët që synon thjeshtimin e procedurave dhe përshpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve. Të dyja palët diskutuan edhe për avancimin e shkëmbimit të të dhënave përmes sistemit SEED, harmonizimin e procedurave, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve të pikave kufitare”, thuhet në njoftimin e Administratës Doganore.

Në kuadër të integrimit evropian, u shkëmbyen përvoja dhe informacione për reformat dhe digjitalizimin e punës doganore, përfshirë përgatitjet për harmonizimin me sistemet dhe standardet evropiane.

 

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua edhe forcimit të bashkëpunimit në fushën e inteligjencës doganore dhe shkëmbimit të informacioneve, me qëllim zbulimin dhe parandalimin më të shpejtë të mashtrimeve doganore, kontrabandës dhe formave të tjera të krimit ndërkufitar.

“Kufiri duhet të jetë sa më i thjeshtë për tregtinë legale dhe udhëtarët, ndërsa njëkohësisht të jetë një barrierë e fortë dhe efikase kundër krimit. Përmes shkëmbimit në kohë të informacioneve, mjeteve digjitale dhe besimit të ndërsjellë, mund ta forcojmë më tej bashkëpunimin dhe të kontribuojmë për siguri më të madhe dhe lehtësim të tregtisë në rajon”, raportohet të ketë theksuar drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski.

 

Të dyja administratat doganore konfirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral dhe realizimin e aktiviteteve konkrete për procedura doganore më efikase, lehtësimin e tregtisë, forcimin e sigurisë dhe mbështetjen e integrimit evropian të rajonit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button