Vendbanimet dhe postblloqet ilegale izraelite në Bregun Perëndimor arrijnë në 592

Një organ qeveritar palestinez ka bërë të ditur se numri i vendbanimeve dhe postblloqeve ilegale izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar ka arritur në 592, ndërsa Izraeli kontrollon rreth 42 për qind të territorit, transmeton Anadolu.
Shifrat u publikuan nga Komisioni për Rezistencën ndaj Murit dhe Vendbanimeve në një raport mbi treguesit kryesorë të zgjerimit të vendbanimeve izraelite dhe kontrollit të tokave palestineze.
Komisioni palestinez tha se deri në fund të korrikut, 780.000 kolonë izraelitë jetonin në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar.
Prej tyre, rreth 333.600 jetojnë në vendbanime ilegale në Kuds, ndërsa 446.400 të tjerë në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor.
Sipas komisionit, kolonët izraelitë janë të shpërndarë në 192 vendbanime ilegale dhe 400 postblloqe kolonësh, përfshirë 231 postblloqe baritore.
Urdhrat zyrtarë izraelitë tregojnë se kontrolli i Izraelit shtrihet në 42 për qind të sipërfaqes së Bregut Perëndimor të pushtuar, e cila është rreth 5.660 kilometra katrorë.
Ai shtoi se Izraeli kontrollon 71 për qind të Zonës C dhe deri në 91 për qind të Luginës palestineze të Jordanit.
Bregu Perëndimor u nda në Zonat A, B dhe C sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995. Zona A është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë palestineze, Zona B është nën kontrollin administrativ palestinez dhe atë të sigurisë izraelite, ndërsa Zona C, e cila përbën rreth 60 për qind të Bregut Perëndimor, është nën kontrollin e plotë izraelit.
Bregu Perëndimor ka qenë dëshmitar i një përshkallëzimi të vazhdueshëm të ofensivave ushtarake izraelite dhe sulmeve të kolonëve që kur Izraeli nisi luftën e tij gjenocidale në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, krahas zgjerimit të postblloqeve ilegale të kolonëve, ndërtimit të rrugëve vetëm për kolonët dhe kufizimeve më të rrepta ndaj lëvizjes së palestinezëve.

