Japoni, treni ekspres përplas për vdekje 4 punonjës hekurudhorë

Një aksident tragjik ka tronditur Japoninë, ku katër punonjës hekurudhorë humbën jetën pasi u përplasën nga një tren ekspres teksa po spërkatnin herbicid pranë shinave.
Ngjarja ndodhi në Linjën Tobu Nikko, në stacionin Shin-Kanuma, në qytetin Kanuma të prefekturës Tochigi. Katër viktimat, burra të moshës 50 deri në 60 vjeç, u dërguan në spital pas përplasjes, por nuk mundën të mbijetonin.
Sipas kompanisë Tobu Railway, punonjësit ishin pjesë e një grupi prej 10 personash dhe po kryenin punime për heqjen e barërave të këqija përgjatë shinave.
Treni ekspres Spacia X2, me gjashtë vagona, po udhëtonte nga stacioni Tobu Nikko drejt stacionit Tobu Asakusa në Tokio kur goditi punëtorët.
Kompania hekurudhore tha se një prej punëtorëve ishte vendosur rreth 80 metra larg si vëzhgues, me detyrën për të paralajmëruar kolegët për afrimin e trenave. Një tjetër vëzhgues, i cili duhej të ishte rreth 300 metra larg, nuk arriti të komunikonte me pjesëtarët e tjerë të ekipit.
Drejtuesi i trenit deklaroi se kishte përdorur borinë pasi kishte parë një sinjal nga vëzhguesi, por rrethanat e sakta që çuan në përplasjen fatale janë ende nën hetim.
Në tren ndodheshin rreth 50 pasagjerë dhe, sipas kompanisë, asnjë prej tyre nuk u lëndua.
Pas aksidentit, drejtuesit e Tobu Railway kërkuan falje për familjet e viktimave dhe premtuan masa të rrepta për parandalimin e përsëritjes së ngjarjeve të tilla.
Ndërkohë, Komisioni i Sigurisë së Transportit të Japonisë ka dërguar tre hetues në vendngjarje për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë e aksidentit.



