950 fëmijë në Shkollën Falas të Notit në Çair, Izet Mexhiti: Do ta bëjmë të përhershme

950 fëmijë janë regjistruar në Shkollën Falas të Notit në Çair, iniciativë e nisur këtë verë për fëmijët nga 7 deri në 12 vjeç.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përmes një postimi ka bërë të ditur se programi do të vazhdojë edhe pas përfundimit të sezonit veror.
“Ky interesim na tregoi se kemi bërë pikërisht atë që u ka munguar shumë familjeve në Çair: një aktivitet sportiv të organizuar, cilësor dhe të qasshëm për çdo fëmijë, pa marrë parasysh mundësitë financiare të familjes”, ka shkruar Mexhiti.
Sipas tij, deri më 1 shtator fëmijët do të vazhdojnë mësimet falas me instruktorë profesionistë, ndërsa me fillimin e vitit të ri shkollor, noti pritet të përfshihet në kuadër të orëve të edukatës fizike dhe shëndetësore në shkollat fillore të Çairit.
Mexhiti ka njoftuar gjithashtu për vazhdimin e investimeve në infrastrukturën sportive, përfshirë punimet në pishinën e shkollës “7 Marsi”.
“E nisëm me 950 fëmijë. Tani po e bëjmë të përhershme. Sepse të gjithë fëmijët e Çairit janë dhe do të rriten të barabartë!”, ka përfunduar ai.



