Turqi, përkujtohet jeta dhe vepra e Haxhi Bektash Veliut në qendrën e Bektashizmit

Në Nevshehir të Turqisë u mbajt programi përkujtimor për Haxhi Bektash Veliun, jetën dhe veprën e tij.
Haxhi Bektash Veliu është themeluesi shpirtëror i bektashizmit. Ai u shpërngul nga Azia Qendrore shkaku i pushtimit mongol dhe u vendos në Anadollin Qendror. Jetoi në shekullin e 13-të dhe vendosi bazamentin moral dhe konceptet e përqendruara në dijen, mençurinë, dashurinë për njerëzimin dhe kulturën e bashkëjetesës.
Përveç kësaj, ai edhe pas më shumë se 7 shekujsh përmendet për filantropinë e tij, rrugëtim të cilin e ndjekin pasuesit e tij të vërtetë, të cilët ishin të pranishëm në vendbanimin Haxhibektash të bashkisë së Nevshehirit, ku edhe ndodhet varri i Haxhi Bektash Veliut, kompleksi dhe muzeu dedikuar jetës dhe veprës së tij.

– Integrimi në shtet i një komuniteti fetar përkundër paralelizmit politik

Shteti turk dhe komuniteti bektashi-alevi në Turqi viteve të fundit bëjnë përpjekjte të konsiderueshme për të mundësuar praktikim të lirë të besimit, si dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Për këtë qëllim është themeluar edhe Presidenca e Kulturës Alevi- Bektashiane nën Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë. Ky institucion ka marrë përsipër mbulimin e harxhimeve të objekteve të kultit të këtij komuniteti fetar, pajisjen e tyre, si dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe letrare, duke themeluar edhe bibliotekë të posaçme, të gjitha këto me para publike.
Kjo sigurisht që është lehtë e arritshme dhe nuk është e panjohur as për shtetet perëndimore, përderisa një komunitet fetar dëshiron vërtetë të luajë rolin e komunitetit fetar dhe të përkujdeset thjeshtë për mirëqenien shpirtërore të ndjekësve të tij.
Në të kundërtën, ndodh që “fetaristët” të synojnë krijimin e një shteti sipas tekut të tyre, siç është iniciativa aktuale për “shtetin bektashi” në Shqipëri, që në këtë aspekt, fare pak dallon nga, të themi, synimi i terroristëve të ISIS-it.

– “Qendra e bektashizmit është në vendin ku prehet Haxhi Bektesh Veliu”

Drejtoria e Presidencës së Komunikimeve të Turqisë në programin përkujtimor të Haxhi Bektash Veliut ftoi edhe media nga Ballkani, duke përfshirë edhe redaksinë e Alfax-it. Përpos pjesës zyrtare ku i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, për përfaqësuesit e mediave nga Ballkani u organizua edhe një konferencë e posaçme për media. Në këtë konferencë për media foli shefi i departamentit të arsimit dhe publikimeve në kuadër të Presidencës së Kulturës Alevi-Bektashiane, Ugur Xhenk Deniz Imamoglu, i cili theksoi rëndësinë e pranisë së gazetarëve nga Ballkani, pasi sipas tij, “mendimet e Haxhi Bektash Veliut nuk përkufizohen me kufinj.
Duke theksuar se vendbanimi Haxhibektash nuk është vetëm një pikë qendrore për Anadollin, por edhe një nga portat më të rëndësishme të traditës bektashiane në botë, Imamoglu theksoi:
“Për ne, Haxhibektashi nuk është thjesht një qytet apo një vend pelegrinazhi. Është një nga epiqendrat e traditës së mençurisë të Anadollit, dashurisë për njerëzimin dhe qytetërimit të zemrës”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për të komentuar iniciativën për “shtetin bektashi” në Shqipëri, Imamoglu tha se dëshirojnë bashkëpunim dhe mirëkuptim me të gjitha komunitetet bektashiane në botë, por përgënjeshtroi pretendimet se epiqendra e bektashizmit është në Shqipëri, duke theksuar se qendra e bektashizmit është në vendin ku ka vepruar dhe ku prehet Haxhi Bektesh Veliu, themeluesi shpirtëror i bektashizmit.
Ai gjithashtu tha se Presidenca e Kulturës Alevi- Bektashiane bën përpjekje të gjera për të siguruar që trashëgimia e Haxhi Bektash Veliut të kuptohet saktë, qoftë në Turqi, qoftë jashtë saj.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button