GJNP-ja hedh poshtë sanksionet e reja të SHBA-së, i quan “sulm flagrant” ndaj pavarësisë gjyqësore

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) të mërkurën hodhi poshtë fuqishëm sanksionet e reja të SHBA-së ndaj kryetares së gjykatës dhe një juristi të lartë në Zyrën e Prokurorit, duke i cilësuar masat si “sulm flagrant” ndaj pavarësisë gjyqësore, transmeton Anadolu.
Sanksionet e fundit kanë në shënjestër kryetaren e GJNP-së, japonezen Tomoko Akane, dhe Abdoulaye Seye nga Senegali, avokat i lartë në proceset gjyqësore në Zyrën e Prokurorit, bëri të ditur gjykata me seli në Hagë në një deklaratë.
GJNP-ja tha se nëntë nga 18 gjyqtarët e saj, të dy zëvendësprokurorët, një ish-prokuror dhe një anëtar i stafit janë tashmë nën sanksione amerikane.
“Këto sanksione janë sulm flagrant ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm, i cili vepron në bazë të mandatit të dhënë nga shtetet palë nga rajone të ndryshme”, tha gjykata.
Ajo shtoi se masat ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit tjetër të gjykatës për përmbushjen e mandatit të GJNP-së minojnë sundimin e ligjit dhe vënë në rrezik rendin juridik ndërkombëtar.
Gjykata paralajmëroi gjithashtu se kërcënimet dhe masat shtrënguese ndikojnë në mundësinë e viktimave për të kërkuar drejtësi, veçanërisht kur ato i drejtohen GJNP-së pasi kanë shteruar të gjitha rrugët e tjera.
“Gjykata do të vazhdojë ta përmbushë plotësisht mandatin e saj me pavarësi dhe paanshmëri, në përputhje të plotë me Statutin e Romës dhe në interes të viktimave të krimeve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
GJNP-ja mirëpriti gjithashtu shprehjet e mbështetjes nga shtetet anëtare, organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë që mbështesin drejtësinë ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.


