E reja që pësoi 85% djegie të trupit nga zjarri në hotelin në Vlorë, dërgohet për trajtim të specializuar në Turqi

25-vjeçarja A. D., e cila pësoi djegie të rënda pas zjarrit të rënë në një hotel në Vlorë, është dërguar në Turqi për trajtim të specializuar.
E reja, e cila ndodhej në hotel për pushime, kishte pësuar djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit. Pas ngjarjes, ajo u transportua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku qëndroi nën kujdesin intensiv të ekipeve mjekësore.
Pas përfundimit të procedurave mjekësore dhe administrative, në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë dhe autoritetet shëndetësore turke, është mundësuar transferimi i pacientes drejt Turqisë, ku do të vijojë trajtimin në një spital të specializuar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shpenzimet e trajtimit në Turqi do të mbulohen nga shteti shqiptar.
Ministria ka bërë të ditur se do të vijojë të garantojë kujdesin dhe mbështetjen e nevojshme mjekësore për pacienten, ndërsa trajtimi i saj do të vijojë në strukturat shëndetësore turke.
Zjarri në hotelin në Vlorë shkaktoi një situatë të rëndë, ndërsa autoritetet vijojnë të hetojnë rrethanat e ngjarjes.

