Orhan Murtezani nis detyrën e re si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Maqedonisë së Veriut në NATO

Orhan Murtezani ka nisur nga sot detyrën e re si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në mesazhin e tij me rastin e marrjes së detyrës, Murtezani thekson se ky është një kapitull i ri profesional, por njëkohësisht edhe vazhdim i përkushtimit të tij në shërbim publik.
“Detyrë e re, përgjegjësi e njëjtë”, shprehet Murtezani, duke nënvizuar se synimi mbetet që Maqedonia e Veriut të jetë një shtet i sigurt, aleat i besueshëm dhe vend që ka zërin dhe kontributin e tij në familjen euroatlantike.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e anëtarësimit në NATO, veçanërisht në një periudhë kur siguria dhe stabiliteti nuk mund të merren si të mirëqena.
Sipas Murtezanit, anëtarësimi në NATO përveç privilegjit sjell edhe përgjegjësi për të kontribuar në sigurinë e përbashkët dhe në forcimin e aleancës euroatlantike.
