Ish-ministri Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv për rastin e “53-milionëshit”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar në rastin e njohur i “53 milionëshi”, duke i dënuar me 10 vjet e 3 muaj burgim (së bashku).
Pal Lekaj në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha në cilësinë e këshilltarit të lartë politik të tij, Nebih Shatri si sekretar i përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri si drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, Pal Lekaj u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj burgim.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vjetësh.
Kurse, Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij, po ashtu u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vjetësh.
Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim. Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 26 janar 2024, Prokuroria kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit, kurse mbrojtja lirimin e tyre nga akuza./betimiperdrejtesi



