Bekim Sali: Marrëveshja e Ohrit është besëlidhje historike- të ndërtojmë ura e jo mure

Bekim Sali: Marrëveshja e Ohrit është besëlidhje historike- të ndërtojmë ura e jo mure

Në shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të mbajtur sonte në ambient të hapur në Urën e Gurit në Shkup, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi rëndësinë historike të marrëveshjes për stabilitetin, demokracinë dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Sali vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit e arritur në rrethana të vështira, nuk është vetëm një dokument politik, por edhe një “besëlidhje historike” mbi mënyrën se si duhet të ndërtohet shteti i përbashkët.

Sipas tij, 25 vjet pas nënshkrimit, marrëveshja ka sjellë transformim të rëndësishëm politik dhe shoqëror dhe ka krijuar themele për një shtet ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhësore, kulturore apo fetare, duhet të ndihen të barabartë.

“Barazia është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi”, tha Sali, duke shtuar se pa besim ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve nuk mund të ketë një shtet të fuqishëm.

Ai veçoi edhe rolin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera joshumicë në stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të vendit.

“Askush nuk duhet ta shohë barazinë si humbje të dikujt dhe fitore të dikujt tjetër, por vetëm si një fitore të përbashkët. Sepse kur një komunitet përparon, ashtu përparon gjithë shteti”, u shpreh me tej Sali.

Duke folur për sfidat e së ardhmes, ai tha se pas 25 vitesh pyetja kryesore nuk është më nëse mund të jetojmë së bashku, por si ta ndërtojmë së bashku një shtet më të zhvilluar, më të drejtë dhe më evropian.

Sali bëri thirrje për një kulturë politike të bazuar në besim, bashkëpunim dhe përgjegjësi.

“Është koha e politikanëve që nuk pyesin se kush është tjetri, por çfarë mund të bëjmë së bashku”, theksoi ai.

Në vizionin e tij, Maqedonia e Veriut duhet të jetë një shtet modern evropian, ku sundon drejtësia, të rinjtë kanë perspektivë, ekonomia krijon mundësi dhe institucionet janë profesionale e të besueshme.

Në 25-vjetorin e marrëveshjes, Sali shprehu mirënjohje për të gjithë nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, për ata që zgjodhën dialogun në vend të përplasjes, si dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre.

Por, sipas tij, mirënjohja më e madhe u takon qytetarëve të vendit, të cilët çdo ditë kontribuojnë në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar.

“25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të jetë jo vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe zotim për të ardhmen. Zotim se do të vazhdojmë të ndërtojmë ura e jo mure, se do ta mbrojmë barazinë, do ta forcojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe do të punojmë për një shtet ku askush nuk do të ndihet i përjashtuar, i papërfaqësuar dhe i huaj”, deklaroi Sali.

Në përfundim, zëvendëskryeministri i parë shprehu bindjen se Maqedonia e Veriut mund të bëhet një storie suksesi dhe shembull për vendet e rajonit.

“Le ta vazhdojmë rrugën së bashku. Me dialog, me respekt e me përgjegjësi. Ashtu siç ishte dakorduar nga të gjithë në Marrëveshjen e Ohrit më 13 gusht 2001”, nënvizoi zv/kryeministri Sali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button