Fidan: Turqia do të vazhdojë të mbështesë dialogun midis lindjes dhe perëndimit të Libisë

Turqia do të vazhdojë të mbështesë dialogun dhe bashkëpunimin mes rajonit perëndimor dhe atij lindor të Libisë dhe do të punojë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit, tha të mërkurën ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën turke NSosyal, Fidan ndau detaje nga vizita e tij e fundit në Libi, duke falënderuar autoritetet libiane për mikpritjen e ngrohtë.

Fidan tha se zhvilloi takime “gjithëpërfshirëse dhe produktive” në kryeqytetin Tripoli dhe në qytetin lindor Bengazi, duke e përshkruar vizitën si një manifestim konkret të politikës së Turqisë për “Një Libi”, e cila nuk bën dallim mes rajonit perëndimor, lindor dhe atij jugor të vendit.

“Turqia nuk e sheh paqen dhe stabilitetin e Libisë si të ndara nga paqja dhe stabiliteti ynë”, tha Fidan.

“Është thelbësore që vëllezërit dhe motrat tona libiane ta ndërtojnë të ardhmen e tyre lirisht, në mënyrë të sigurt dhe të begatë. Në përputhje me vizionin e paraqitur nga presidenti ynë Recep Tayyip Erdogan, ne do të vazhdojmë të mbështesim forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes perëndimit dhe lindjes së Libisë dhe të kontribuojmë në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Libisë”, shtoi ai.

– U diskutuan bashkëpunimi dhe procesi politik
Gjatë vizitës së tij, Fidan u takua me kryeministrin libian Abd al-Hamid Dbeibeh, me të cilin diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, procesin politik në Libi, zhvillimet rajonale dhe çështjet e sigurisë, tha ai.

Ai zhvilloi gjithashtu bisedime me Mohamed al-Menfin, kryetar i Këshillit Presidencial të Libisë, dhe Mohamed al-Miftah Takalan, kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit.

Fidan tha se diskutoi bashkëpunimin dypalësh dhe zhvillimet aktuale edhe me Ibrahim Dbeibeh, këshilltarin e kryeministrit për sigurinë kombëtare; ministrin në detyrë të Mbrojtjes Abdulsalam Zubin; ministrin e Brendshëm Emad al-Trabelsin; shefin në detyrë të Shtabit të Përgjithshëm Salah al-Namroushin dhe kreun e inteligjencës ushtarake Mahmoud Hamzan.

– Bisedimet në Bengazi
Në Bengazi, Fidan u takua me Khalifa Haftarin, komandantin e forcave në Libinë lindore; zëvendësin e tij, gjeneralin Saddam Haftar; kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Aguila Saleh; dhe Belkacem Haftar, kreun e Fondit të Libisë për Zhvillim dhe Rindërtim.

Takimet u përqendruan në agjendën politike dhe të sigurisë së Libisë, si dhe në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, tha Fidan.

Ai theksoi se Turqia e sheh bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si një nga elementet strategjike që mund të kontribuojë konkretisht në stabilitetin e Libisë dhe sigurinë rajonale.

Në kuadër të vizitës së tij, Fidan vizitoi gjithashtu Komandën e Grupit të Forcave të Armatosura Turke në Libi në Tripoli.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button