Agon Ferati: 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, një mundësi për të orientuar vëmendjen drejt së ardhmes

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, theksoi rëndësinë e kësaj date jo vetëm si përvjetor i një marrëveshjeje historike, por edhe si një mundësi për të diskutuar të ardhmen e vendit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ferati falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që iu përgjigjën pozitivisht ftesës dhe theksoi se qëllimi i organizimit të këtij eventi është që vëmendja të orientohet përtej së kaluarës, drejt sfidave dhe mundësive që e presin shoqërinë.
“Ky takim nuk është vetëm për të shënuar 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Është një mundësi për ta orientuar vëmendjen tonë drejt së ardhmes – drejt forcimit të shtetit të së drejtës, zhvillimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe, veçanërisht, drejt ndërtimit të kapaciteteve dhe krijimit të më shumë mundësive për rininë”, tha Ferati.
Sipas tij, rinia përbën resursin më të madh të vendit dhe faktor kyç për ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar, më të qëndrueshme dhe me standard më të lartë jetese.
Ferati u shpreh se përmes diskutimit të hapur dhe konstruktiv mund të kontribuohet në rritjen e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.
“Një dialog i tillë, i hapur dhe konstruktiv, do të ishte një mesazh i fuqishëm për opinionin publik dhe një gur themeli për ndërtimin e kapaciteteve të brendshme për një kulturë të re të dialogut politik dhe shoqëror”, theksoi ministri.
Duke folur për organizimin e manifestimit, Ferati vuri në dukje se eventi është realizuar në një periudhë të shkurtër kohore, duke falënderuar ekipin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për angazhimin.
“Nuk ishte e lehtë. Por, për vetëm 20 ditë në detyrë, arritëm që, së bashku me ekipin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, të organizojmë këtë event gjithëpërfshirës”, tha ai.
Në panelin e organizuar për 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit morën pjesë profesorë universitarë, ekspertë të fushave të ndryshme, ish-diplomatë, politikanë, gazetarë eminentë, si dhe përfaqësues të fondacioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Ferati theksoi se pikërisht kjo shumëllojshmëri e zërave i jep vlerë diskutimit dhe krijon hapësirë për një debat më gjithëpërfshirës mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në vend.
Në fund të fjalës së tij, ministri Ferati falënderoi pjesëmarrësit për praninë, kohën dhe kontributin e tyre, duke shprehur shpresën se diskutimi do të prodhojë ide konkrete për hapat që duhet të ndërmerren në vitet e ardhshme.


