Adnan Azizi i përgjigjet Ali Ahmetit: Dyfytyrësia e një manipuluesi

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Ali Ahmetit lidhur me paraqitjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përkrah kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të “One Stop Shop” në Bllacë. Azizi e akuzon Ahmetin për standarde të dyfishta dhe i rikujton bashkëpunimet e tij të mëparshme politike me figura që, sipas tij, kanë qenë kundërshtarë të shqiptarëve.
Sipas Azizit, takimi Kurti–Mickoski duhet parë në kontekstin e një projekti konkret që lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe bizneseve dhe synon të forcojë lidhjet ekonomike dhe rajonale mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Dyfytyrësia e një manipuluesi! Qenka shqetësuar Ali Ahmeti pse Albin Kurti u pa krah Hristijan Mickoskit në “One Stop Shop” në Bllacë – një projekt strategjik që lidh shqiptarët e Kosovës me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe biznesit dhe forcon pozitën tonë ekonomike në rajon”, shkruan Azizi.
Në reagimin e tij, deputeti i VLEN-it e vë theksin te bashkëpunimet e mëparshme të Ahmetit me politikanë maqedonas dhe serbë. Ai përmend Aleksandar Vuçiqin, Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe Lube Boshkovskin, duke argumentuar se Ahmeti në të kaluarën i kishte justifikuar këto raporte me interesin politik, strategjinë dhe realpolitikën.
Azizi përmend në mënyrë të veçantë edhe bashkëpunimin e Ahmetit në kuadër të Open Balkan, duke pretenduar se atëherë bashkëpunimi me liderë që shqiptarët i kishin përjetuar si kundërshtarë paraqitej si “interes shtetëror”, ndërsa sot një takim zyrtar i Kurtit me Mickoskin kritikohet në emër të patriotizmit.
“Kur ti bëje marrëveshje me kundërshtarët e shqiptarëve, ishte ‘strategji politike’. Kur ti u shfaqje krah Vuçiqit për projektin Open Balkan, ishte ‘interes shtetëror’. Kur bashkëqeverise me Gruevskin dhe Mijallkovin, ishte ‘realpolitikë’.”, thekson Azizi.
Në vijim të reagimit, Azizi e lidh debatin edhe me kujtesën kolektive të shqiptarëve për ngjarjet e Lubotenit dhe me figurën e Lube Boshkovskit. Ai pyet se përse dhimbja e familjeve të dëshmorëve dhe e viktimave përmendet sot si argument politik, ndërsa, sipas tij, nuk ishte përdorur i njëjti standard në kohën kur Ahmeti bashkëpunonte me figura politike që kishin qëndrime të kundërta me shqiptarët.
“Lotët e nënave të dëshmorëve nuk mund të përdoren sipas nevojës politike. Nëse ato lotë të kanë dhembur vërtet, duhet të të kenë dhembur edhe kur u ule në tavolinë me ata që shqiptarët i konsideronin përgjegjës ose bashkëpërgjegjës për vuajtjet e tyre”, deklaron deputeti i VLEN-it.
Azizi më tej pretendon se qasja politike e Ahmetit dhe ajo e Kurtit kanë qenë të ndryshme, duke e paraqitur politikën e Kurtit si një qasje që, sipas tij, ka synuar forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe shtrirjen e institucioneve të saj në veri të vendit.
Në përfundim, deputeti i VLEN-it thotë se problemi nuk qëndron te fotografia e Kurtit përkrah Mickoskit, por te ajo që ai e konsideron si hipokrizi politike dhe përdorim selektiv të patriotizmit.
“Problemi nuk është Kurti krah Mickoskit. Problemi është hipokrizia e atij që dje e quante patriotizëm bashkëpunimin me ata që shqiptarët i kishin përballë, ndërsa sot na shet moral për një takim zyrtar që sjell një projekt konkret në interes të shqiptarëve. Shqiptarët nuk harrojnë. Historia nuk ndryshohet me deklarata. As patriotizmi nuk matet me lot të përdorur vetëm kur të leverdis politikisht”, përfundon Azizi.



