LSDM-ja dorëzon kallëzim penal për ujin e ndotur në Gostivar! VMRO-DPMNE: Filipçe dhe LSDM-ja bënë që gostivarasit të helmohen për vite

LSDM-ja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik Maria Andonovskas, drejtorit të Inspektoratit Sanitar-Shëndetësor Kiril Lazovit, si dhe ndaj drejtorit të Qendrës së Shëndetit Publik në Tetovë Shpendi Ametit. Opozitarët thonë se i gjithë Gostivari u helmua me ujë të ndotur, pothuajse 5.000 qytetarë përfunduan në spital, ndërsa askush nuk mori përgjegjësi dhe as Prokuroria nuk po vepron.“LSDM-ja sot ka dorëzuar kallëzim penal për të gjitha dështimet sistemike, mosveprimet, mos ushtrimin e kompetencave ligjore nga institucionet shëndetësore dhe inspektuese. Në cilësinë e personave zyrtarë ose përgjegjës në institucionet që drejtojnë, ata nuk kanë ndërmarrë veprime dhe masa për mbrojtjen e shëndetit dhe parandalimin e pasojave nga ndotja e ujit në Gostivar”, theksoi Jon Fërçkovski, LSDM.

 

Nga VMRO-DPMNE-ja, ndërkaq, u kundërpërgjigjën se LSDM-ja nuk ka të drejtë të akuzojë, sepse, siç shtojnë, për shkak të tyre, gostivarasit kanë pirë ujë të pasigurt për vite me radhë.“Fundërrina e shoqërisë Filipçe, për shkak të të cilit për vite me radhë kemi pirë ujë të pasigurt, ndërsa kjo nuk na është thënë neve, qytetarëve të Gostivarit, nuk ka të drejtë të moralizojë rastin. Për vite me radhë Filipçe dhe pushteti i udhëhequr nga LSDM-ja kanë marrë raporte nga institucionet shtetërore se uji në Gostivar nuk është për t’u pirë. Prokuroria Publike duhet të hetojë heshtjen e Filipçes dhe pushtetit të LSDM-së, i cili ka lejuar që gostivarasit të helmohen për vite me radhë”, pohoi Martin Andonovski –VMRO-DPMNE, dega Gostivar.

 

Problemi me ujin e pijshëm në Gostivar, por edhe me banorët e helmuar, vazhdon tashmë prej më shumë se një muaji.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button