Vuçiq thotë se ka ftuar ekspertë për ta ndryshuar rrjedhën e Ibrit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të siç tha – qëndrimit të autoriteteve të Prishtinës ndaj popullit serb në Kosovë.
Një gjë të tillë, Vuçiqi e kishte përmendur para dy vjetësh teksa po e mohonte përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që e dëmtoi kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas Vuçiqit që nga viti 1985 “ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën” e lumit Ibër për nevojat e popullatës në qytezat afër liqenit, që si pasojë do ta thante Ujmanin, nga i cili furnizohet Kosova. Sipas tij, kjo mund të ndodhë me një vendim të Qeverisë serbe.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka deklaruar Vuçiqi të dielën për gazetarët gjatë vizitës së punimeve në Urën e Vjetër Hekurudhore në Beograd.
Presidenti serb Vuçiq ka folur edhe për rrënimin e vilave përreth Ujmanit, për të cilat ka thënë se po i ndjek nga afër si zhvillime.
Vilat e rrënuara përreth Ujmanit kanë qenë objekte të ndërtuara pa leje në hapësirën që është në administrimin e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”. Deri më tani janë rrënuar dhjetëra sosh.
“Ne jemi një shtet sovran, e dini. Ndonjëherë kemi interesa të këtij lloji, ndonjëherë të një lloji tjetër dhe, në përputhje me këto interesa, do të sillemi. Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyeteni popullin tonë në Kosovë se te kush e shohin të vetmin mbrojtës, sepse unë i shoh shumë mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë. Dhe është shumë e vështirë. Ndërsa, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Unë mendoj se nuk është”, ka shtuar Vuçiqi.
Shpërthimin në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të Zubin-Potokut në nëntor të vitit 2024, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksplozivë, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist, kurse Serbinë e kanë bërë përgjegjëse për të.
Për këtë rast është ngritur aktakuzë ndaj tre personave, për të cilët ende po vazhdon gjyqi. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq, me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.



