VLEN: Dyfytyrësia e Bujarit: Natën të vret, ditën të qan!

Partia VLEN ka reaguar ndaj deklarimeve të Bujar Osmanit lidhur me vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për shpalljen “non-grata” të imamit Bekir Halimi dhe aktivistit Valon Bela, duke e akuzuar Osmanin për qëndrim kontradiktor dhe hipokrizi politike.

Në reagimin e saj, VLEN thotë se Osmani po përpiqet të krijojë përshtypjen se po i mbron dy personat, pasi ka kërkuar rishikimin e vendimit të autoriteteve shqiptare.

“Bujar Osmani po mundohet të krijojë përshtypjen se i ka dalë në ‘mbrojtje’ imamit Bekir Halimi dhe aktivistit Valon Bela, pasi këta të dy u shpallën ‘non-grata’ nga Qeveria e Tiranës, duke kërkuar që ky vendim të rishikohet”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Partia e quan qëndrimin e Osmanit të dyfishtë, duke e krahasuar atë me një shprehje popullore.

“Hipokrizia e Bujarit i ngjan thënies popullore: ‘Natën të vret, ditën të qan.’”

Sipas VLEN-it, Osmani dhe BDI-ja kanë pasur ndikim në vendimet e Qeverisë së Shqipërisë lidhur me figura politike dhe shoqërore nga Maqedonia e Veriut.

“Kjo sepse të gjithë e dinë se Bujari dhe BDI-ja janë ata që ndikojnë drejtpërdrejtë te Qeveria e Tiranës për t’i shpallur armiqtë në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, pretendon VLEN.

Partia shkon më tej duke deklaruar se Halimi dhe Bela nuk janë futur në listën e personave të padëshiruar pa ndikimin e Osmanit dhe BDI-së.

“As Halimi, as Bela nuk janë futur në ‘listën e zezë’ të Ramës pa ndikimin e Bujarit dhe BDI-së”, thuhet në reagim.

VLEN akuzon gjithashtu eksponentë të BDI-së se në të kaluarën kanë mbështetur idenë e përfshirjes së shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në lista të tilla.

“Ironia është se pikërisht eksponentët e BDI-së ishin ndër të parët që e duartrokitën idenë e futjes së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në ‘listë të zezë’ nga Shqipëria”, deklaron partia.

Në vijim, VLEN e lidh qëndrimin e Osmanit me rastin “Monstra”, duke pretenduar se ai ka mbajtur qëndrime të ndryshme në media lidhur me këtë çështje.

“Kjo dyfytyrëshi e Bujarit na kujton rastin ‘Monstra’, kur Bujari, me urdhër të Jankullovskës, në disa media thoshte se Haki Aziri ishte zhdukur me vetëdëshirë, ndërsa në disa të tjera kërkonte hetim ndërkombëtar për rastet e montuara nga qeveritë ku edhe ai ishte ministër”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Në fund, partia thotë se qytetarët e kanë gjykuar tashmë politikisht Osmanin dhe paralajmëron se BDI-ja do të mbetet në opozitë.

“Por shqiptarët e kanë lexuar prej kohësh hipokrizinë e Bujarit dhe e kanë dënuar atë me votë. Klithmat e Bujarit në Facebook janë pasojë e pamundësisë për ta pranuar fundin e tij politik, pas humbjes së thellë në Çair”, deklaron VLEN.

“Me politikanë si Bujari, që sot thotë një gjë e nesër vepron të kundërtën, BDI-ja nuk ka të ardhme dhe do të mbetet gjatë në opozitë”, përfundon reagimi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button