Kryeparlamentari Gashi shpalli zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës më 18 tetor

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, të cilat do të mbahen më 18 tetor.
Ai pret që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Bërvenicë dhe të gjitha organet kompetente ta zhvillojnë procesin zgjedhor në mënyrë profesionale, të paanshme dhe me respektim të plotë të ligjeve dhe procedurave.
“U bëj thirrje të gjithë kandidatëve dhe subjekteve politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë me dinjitet, duke garuar me programe, ide dhe vizion për zhvillimin e komunës, dhe jo me retorikë që nxit ndarje apo veprime që dëmtojnë besimin e qytetarëve në procesin demokratik”, porositi Gashi.
Ai u bëri thirrje edhe qytetarëve të Bërvenicës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, duke kontribuar në një proces zgjedhor të qetë, të rregullt dhe kredibil.
Gashi shprehu bindjen se zgjedhjet do të dëshmojnë pjekurinë demokratike të institucioneve dhe qytetarëve.


