Malajzia dhe Indonezia riafirmojnë mbështetjen për Palestinën dhe vendet e shenjta të Kudsit

Malajzia dhe Indonezia riafirmuan mbështetjen e tyre për Palestinën dhe vendet e shenjta islame dhe të krishtera në Kuds gjatë takimit ministror në mbështetje të Kudsit dhe vendeve të shenjta të tij të mbajtur në kryeqytetin jordanez, Aman, në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu.

Malajzia riafirmoi se Kudsi është pjesë integrale e Territorit të Pushtuar Palestinez, hodhi poshtë çdo përpjekje për të ndryshuar statusin e tij ligjor, historik, demografik dhe fetar dhe dënoi shkeljet në xhaminë Al-Aksa dhe zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në platformën sociale amerikane Facebook.

Kuala Lumpuri mbështeti Kujdestarinë Hashemite të Jordanisë dhe përsëriti mbështetjen për një shtet të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet. Indonezia i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mbajë qëndrim të bashkuar kundër veprimeve të Izraelit në territoret palestineze, përfshirë Kudsin Lindor dhe xhaminë Al-Aksa, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Antara.

“Indonezia i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të heqë dorë nga heshtja për shkeljet e Izraelit dhe të mos lejojë veten të përçahet në reagimin ndaj tyre”, tha zëvendësministri i jashtëm, Arrmanatha Nasir.

“Ndarja është çarja që Izraeli e ka shfrytëzuar gjithmonë”, shtoi ai.

Xhakarta bëri thirrje për njohje më të gjerë të Palestinës, mbrojtje më të fortë të xhamisë Al-Aksa, mbështetje për rindërtimin e Gazës, pajtimin palestinez dhe Agjencinë e Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), duke riafirmuar mbështetjen për Kujdestarinë Hashemite të Jordanisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button