Miku izraelit i Ramës merr në dorë gjithë tenderat e shëndetësisë në Shqipëri?

Shqipëria rrezikon të shohë një tjetër copëz të rëndësishme të buxhetit të shtetit të kalojë në duart e miqve sionistë të kryeministrit Edi Rama.

Pas sektorit të mbrojtjes, radhën e ka shëndetësia, e cila duket se po përgatitet për t’u privatizuar përmes një modeli monopoli.

Kësaj radhe, emri që lakohet pas prapaskenave është ai i biznesmenit izraelit Sani Sanilevich, një mik i ngushtë i kreut të qeverisë dhe konsull nderi i Shqipërisë në Izrael.

Lëvizjet e Sanilevich nuk janë më një sekret. Ato u zbuluan në fillim të muajit qershor nga gazeta e njohur izraelite The Marker. Sipas saj, Sanilevich ka hyrë në bisedime dhe bashkëpunim me biznesmenen Yardena Ovadia, e cila zotëron spitale në Guinenë Ekuatoriale.

Duket se të dy ata e kanë parë Shqipërinë me të njëjtin sy që shohin vendet afrikane: një sistem shëndetësor të lënë në mjerim, ku mungesa e investimeve dhe dëshpërimi publik krijojnë terrenin ideal për fitime të majme private.

Sanilevich nuk është një emër i panjohur në Tiranë. Lidhjet e tij me Edi Ramën nisën disa vite më parë, pas një vizite sekrete me çarter në rezidencën e tij në Izrael. Që atëherë, prania e tij në vend është shtrirë me shpejtësi.

Ai është aksioner në bankën e parë dixhitale në Shqipëri, Jetbank, ka investuar në fushën e sigurisë, po planifikon ngritjen e qendrave të të dhënave dhe ka synime të qarta në turizëm e pasuri të paluajtshme, duke ndjekur gjurmët e projekteve të mëdha amerikane në bregdet.

Por shqetësimi më i madh aktualisht lidhet me shëndetësinë. Kohët e fundit, qeveria ka ndërmarrë hapa për të krijuar një shoqëri të përbashkët publiko-private që do të ketë monopolin absolut të blerjes së ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve të tjera publike.

Ky plan është pothuajse identik me modelin e aplikuar te mbrojtja, ku tenderat dhe fondet e këtij sektori iu dhanë një tjetër izraeliti me pasaportë shqiptare, Ron Yeffet, gjithashtu një mik i ngushtë i Ramës.

Opozita dhe mediat kanë ngritur alarmin se pas këtij privatizimi të ri të fondeve shëndetësore mund të fshihet sërish një shtetas izraelit, duke hedhur dyshime të forta pikërisht te Sanilevich dhe planet e tij me spitalet.

Edhe pse në Izrael ai drejton sektorin financiar të Qendrës Mjekësore Hadassah dhe shfaqet si filantrop, në Shqipëri ambiciet e tij marrin trajtën e një biznesi agresiv që përfiton nga lidhjet e ngushta me pushtetin.

Kjo situatë nxjerr në pah një hije të rëndë të konfliktit të interesit. Ndërsa institucionet vendase heshtin dhe shëndetësia publike lëngon nga korrupsioni dhe mungesa e fondeve, qeveria duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër.

Në vend që t’i japë zgjidhje problemeve të qytetarëve, ajo po shpërndan pasuritë publike dhe buxhetin e shtetit te një rreth i ngushtë miqsh të huaj të kryeministrit.

Përtej mohimeve apo heshtjes zyrtare të palëve të përfshira, pyetja që ngrihet çdo ditë e më shumë është e qartë: A do të lejohet që paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe shërbimi më jetik për shëndetin e qytetarëve të përfundojnë sërish si llokmë në tryezën e klientelës së oborrit qeverisës?

Shenjat dhe faktet e deritanishme tregojnë se skenari është tashmë i gatshëm. \tesheshi.com\

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button