OKB i kërkon SHBA-së të heqë sanksionet ndaj Kubës

Ekspertët e të drejtave të njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë dënuar masat e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës, duke i bërë thirrje Uashingtonit të heqë sanksionet, pasi sipas tyre ato po përkeqësojnë krizën humanitare në ishull.
Në një deklaratë të publikuar të enjten, ekspertët theksuan se sanksionet, përfshirë kufizimet e zgjeruara ndaj sektorit energjetik të Kubës të shpallura më 23 korrik, kanë vështirësuar importin e karburanteve në një kohë kur vendi po përballet me mungesa të theksuara dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.
Sipas tyre, pasojat humanitare po shndërrohen në një krizë të plotë, duke rrezikuar të drejtat për shëndet, jetë, ushqim dhe zhvillim. Ata paralajmëruan se grumbullimi i mbeturinave në disa zona të Havanës po rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.
Ekspertët nënvizuan se ndërprerjet e energjisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e shërbimeve shëndetësore, ndërsa agjencitë e OKB-së në Kubë kanë raportuar për rritje të pasigurisë ushqimore, mungesë ilaçesh dhe furnizimesh të tjera jetike, si dhe ulje të kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me kancer.
Në deklaratë, ata i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe shoqërisë civile të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shmangur atë që e cilësuan si një “Gazë të heshtur” në Kubë.
Ekspertët argumentuan gjithashtu se sanksionet amerikane bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe janë pjesë e një strategjie që synon ndryshimin e sistemit politik të Kubës. Ata kërkuan nga qeveria amerikane të revokojë të gjitha masat që, sipas tyre, cenojnë sovranitetin e vendit, ndërsa i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ta trajtojnë çështjen me urgjencë.



