Kasami promovon rrugën e rikonstruktuar: Jo zgjidhje të përkohshme, por investime të qëndrueshme

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka promovuar sot përfundimin e punimeve në rrugën “Mihajllo Rajçeviq” në lagjen Cetinsk, duke theksuar se projekti zgjidh një problem shumëvjeçar të banorëve dhe u siguron atyre infrastrukturë moderne.
Kasami bëri të ditur se, përveç asfaltimit të rrugës, është ndërtuar edhe rrjeti i ri i ujësjellësit dhe kanalizimit, si pjesë e një investimi të plotë në infrastrukturën nëntokësore.
“Me shumë kënaqësi promovuam sot përfundimin e punimeve në rrugën ‘Mihajllo Rajçeviq’ në lagjen Cetinsk, një projekt që i jep fund një problemi shumëvjeçar dhe u sjell banorëve infrastrukturë moderne e dinjitoze”, ka deklaruar Kasami.
Ai theksoi se investimi nuk është kufizuar vetëm në asfaltim, por ka përfshirë edhe punime të rëndësishme në infrastrukturën bazë.
“Përveç asfaltimit të rrugës, realizuam edhe ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke investuar në infrastrukturën nëntokësore që garanton zgjidhje afatgjate”, është shprehur kryetari i Tetovës.
Në fund, Kasami nënvizoi se ky projekt pasqyron mënyrën e punës së komunës, duke theksuar se prioritet mbeten investimet cilësore dhe afatgjata.
“Ky është modeli ynë i punës, investime të plota, cilësore dhe të qëndrueshme, pa zgjidhje të përkohshme! Ju qoftë përhajr!”, ka përfunduar ai.



