Ndalimi mbetet në fuqi, Gostivari vazhdon të jetë pa ujë të pijshëm

As mbledhja e fundit e Shtabit të Krizës nuk solli lajme të mira për banorët e Gostivarit. Uji nga rubineti vazhdon të mos lejohet për pije. Ai mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, por jo për konsum apo përgatitjen e ushqimit.
Pas klorimit intensiv, autoritetet u rekomandojnë qytetarëve që ta lëshojnë ujin më shpesh nga rubinetat, pasi, sipas tyre, pikërisht uji i ndenjur në gypa ka kontribuar në shfaqjen e bakterit, të cilin tani po përpiqen ta eliminojnë.
Do të vazhdojnë kontrollet intensive të cilësisë së ujit dhe, sapo tri analiza radhazi të konfirmojnë se ai është bakteriologjikisht i sigurt, uji do të mund të përdoret sërish edhe për pije.
Banorët e Gostivarit kanë më shumë se dy javë që nuk kanë ujë të pijshëm në rubinetat e tyre, ndërsa Qeveria çdo ditë furnizon qytetin me më shumë se 580 mijë litra ujë për nevojat e popullsisë.
Më 17 të muajit të kaluar u vendos ndalimi i plotë i përdorimit të ujit, ndërsa dy ditë më vonë autoritetet shpallën epidemi. Që nga 27 korriku e deri më sot, uji lejohet të përdoret vetëm për nevoja teknike.



