Rand Paul kërkon shpalljen e Faucit në shpërfillje të Kongresit

Senatori republikan Rand Paul ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të kërkojë votim për ta shpallur Dr. Anthony Faucin në shpërfillje të Kongresit, pasi ish-zyrtari amerikan refuzoi t`u përgjigjej pyetjeve gjatë një seance dëgjimore në Senat, duke thirrur mbi 100 herë Amendamentin e Pestë të Kushtetutës.
Në përfundim të seancës, Paul tha se do të kërkojë votim për shpërfillje të Kongresit, një veprim që mund të çojë në shqyrtimin e rastit nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për të vendosur nëse Fauci duhet të përballet me akuza penale.
Në fjalën e tij hyrëse, Fauci tha se nuk do t’u përgjigjej pyetjeve, duke argumentuar se senatori Paul kishte një “obsesion të dukshëm” për ndjekjen e tij penale.
“E vetmja arsye pse senatori Paul më ka thirrur para këtij komiteti është që të më bëjë të them diçka, çfarëdo qoftë ajo, që do të justifikonte premtimet e tij publike se do të përfundoja, sipas fjalëve të tij, ‘pas hekurave’”, deklaroi Fauci.
Ndërkohë, demokratët në komitet kritikuan organizimin e seancës, duke vlerësuar se ajo ishte përdorur për të rikthyer debatet mbi pandeminë, në vend që të trajtoheshin sfidat aktuale të sistemit shëndetësor.
Paul ka pretenduar prej vitesh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (NIH) ka financuar kërkime të njohura si “gain-of-function” në Institutin e Virologjisë në Wuhan të Kinës, pretendime që Fauci i ka mohuar vazhdimisht.
Para seancës, Paul publikoi 1.100 faqe nga ditari i Faucit gjatë kohës që drejtonte Institutin Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID). Fauci e cilësoi publikimin e ditarit si një përpjekje për ta “turpëruar dhe frikësuar”.



