Presidenti Erdogan: Turqia siguron aksion në fushën naftëmbajtëse të Kirkukut me marrëveshjen historike me Irakun

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Kompania Turke e Naftës (TPAO) ka siguruar një partneritet në fushën e prodhimit të Kirkukut në Irak, duke e përshkruar marrëveshjen e saponënshkruar si “një hap historik” në bashkëpunimin dypalësh energjetik, raporton Anadolu.
“Fusha e prodhimit të Kirkukut i është dhënë si partnere Kompanisë Turke të Naftës. Marrëveshja e nënshkruar sot ka qenë një hap historik për sa i përket partneritetit në sektorin e energjisë”, tha Erdogan gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin irakian, Ali al-Zaidi në Ankara.
Erdogan tha se ai dhe al-Zaidi shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale, veçanërisht lidhur me Iranin, Sirinë dhe Palestinën.
Ai tha se Turqia është e gatshme t’i ofrojë Irakut produktet e industrisë së mbrojtjes për të cilat ka nevojë.
“Ne po përpiqemi të sigurojmë që rajoni ynë të njihet jo për luftë, terrorizëm dhe konflikte, por për zhvillim, mirëqenie, paqe dhe stabilitet”, tha Erdogan.
Ai shtoi se Turqia nuk e ka parë kurrë paqen dhe stabilitetin e Irakut të ndarë nga situata e saj, pasi Iraku ka qenë ndër vendet e prekura nga luftërat dhe paqëndrueshmëria.
Erdogan tha gjithashtu se Projekti i Rrugës së Zhvillimit, i cili synon të lidhë Gjirin me tregjet globale përmes Irakut, është bërë edhe më i rëndësishëm në kushtet e zhvillimeve aktuale rajonale.
Sa i përket sigurisë, Erdogan tha se Ankaraja mbetet në dialog të ngushtë me Irakun për të avancuar procesin e saj për “një Turqi pa terror” dhe vizionin e saj për “një rajon pa terror”.



