Afrim Gashi priti nxënësit e Digital School Macedonia që fituan 21 medalje në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur në Kuvend nxënësit e talentuar të Digital School Macedonia dhe mentorin e tyre, Verim Zhaku, të cilët përfaqësuan vendin në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM në Romë, duke fituar gjithsej 21 medalje.
“Në Kuvend pata kënaqësinë të mirëpres nxënësit e talentuar të Digital School Macedonia dhe mentorin e tyre, Verim Zhaku, të cilët me përfaqësimin e shkëlqyer në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM në Romë i sollën vendit 21 medalje dhe arritje që na mbushin me krenari.
I përgëzova për rezultatet e shkëlqyera dhe u shpreha mirënjohjen time për angazhimin, disiplinën dhe punën e palodhshme. I njoftova gjithashtu se Kuvendi po avancon proceset e digjitalizimit dhe mbetet i përkushtuar të krijojë gjithnjë e më shumë hapësirë për të rinjtë, që me idetë dhe zgjidhjet e tyre kreative të kontribuojnë në modernizimin e institucioneve dhe zhvillimin e vendit.
Urime për këtë sukses të merituar dhe suksese të reja në rrugëtimin e tyre!”, ka shkruar Gashi.



