Izraeli arreston dhjetëra palestinezë në Bregun Perëndimor mes sulmeve të kolonëve

Izraeli po vazhdon operacionet e tij ushtarake në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke arrestuar dhjetëra palestinezë pas një përleshjeje me armë ku u vranë katër palestinezë dhe dy ushtarë izraelitë.

Të shtunën në mëngjes, forcat izraelite arrestuan rreth 50 palestinezë në fshatin Tal, në jugperëndim të Nablusit, ku ndodhi përleshja e së premtes, ndërsa bastisën rreth 70 shtëpi.

Pamjet e publikuara nga rrjeti “Quds News Network” tregojnë dy burra palestinezë me sy të lidhur duke u dërguar nga ushtarët izraelitë. Arrestimet janë pjesë e asaj që ushtria izraelite e ka përshkruar si një operacion “të gjerë” të nisur pas ngjarjes së së premtes.

Të premten, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz urdhëruan një “operacion ushtarak në shkallë të gjerë” në fshatrat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një sulmi pranë vendbanimit ilegal Havat Gilad, ku u vranë dy ushtarë izraelitë dhe u plagosën tre të tjerë.

Sipas burimeve dhe dëshmitarëve, kolonët izraelitë sulmuan disa komunitete palestineze në rajonin e Nablusit, duke u vënë zjarrin shtëpive dhe pronave të palestinezëve.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se të paktën 87 palestinezë janë vrarë nga izraelitët në sulme në Bregun Perëndimor që nga fillimi i vitit, prej të cilëve 21 nga kolonët. Kritikët thonë se kolonët janë inkurajuar nga mungesa e presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit për t’i dhënë fund rrethimit të Gazës, si dhe nga deklaratat e ministrave të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich.

Albanese i quan sulmet “pogrome”

Raportuesja speciale e OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, të shtunën i përshkroi sulmet izraelite ndaj civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor si “pogrome”, duke kërkuar embargo të menjëhershme të armëve dhe ndalimin e tregtisë me Izraelin.

“Pogrome kundër civilëve të pambrojtur në të gjithë Bregun Perëndimor, ndërsa Gaza është nën zjarr”, shkroi Albanese në platformën X.

Ajo akuzoi civilët izraelitë dhe ushtrinë se po “bashkëpunojnë” në këto sulme, duke argumentuar se përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te Netanyahu apo te “disa individë të prishur”.

“Embargo armësh tani – ndaloni tregtinë tani”, tha Albanese, duke shtuar se masa të tilla kërkohen sipas së drejtës ndërkombëtare.

Edhe organizatat izraelite për të drejtat e njeriut kanë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për ndalimin e dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor, e cila është rritur që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në vitin 2023.

Në Bregun Perëndimor, arrestime të tjera u kryen edhe në qytetin verior Jenin, si dhe në qytete e fshatra të tjera të rajonit. Forcat izraelite bastisën disa shtëpi dhe vendosën një numër të madh trupash.

Në zona të tjera, ushtria izraelite bastisi Tubasin në verilindje dhe kampin e refugjatëve Far’a në jug të qytetit.

Ushtarët izraelitë mbërritën në Tubas me një kolonë të madhe automjetesh ushtarake dhe u shpërndanë në disa lagje, duke bastisur shtëpi për rreth tre orë, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa. Më pas ata u drejtuan drejt kampit të refugjatëve Far’a.

Forcat izraelite bastisën gjithashtu disa zona të tjera, përfshirë fshatin Far’ata, në lindje të Kalkilijas, ku sipas “Al Mayadeen English” u plagosën të paktën tetë palestinezë. Në mesin e zonave të tjera të goditura ishin edhe kampi i refugjatëve Aqbat Jabr në Jeriko dhe fshati Kobar në rajonin Ramallah dhe El-Bireh.

Varrime gjatë natës për palestinezët e vrarë

Gjatë natës u zhvilluan ceremonitë mortore për katër palestinezët e vrarë në Tal të premten.

Banorët thanë se u detyruan t’i zhvillonin varrimet gjatë natës pasi autoritetet izraelite i kishin ndaluar ato gjatë ditës. Sipas raportimeve, vetëm një numër i kufizuar palestinezësh u lejua të merrte pjesë.

“Po ndodh në të gjithë Bregun Perëndimor”

Përleshja me armë në Tal ishte më vdekjeprurësja në këtë zonë prej muajsh, ndërsa të dyja palët japin versione të ndryshme për atë që ndodhi. Izraelitët nuk lejohen të hyjnë në Tal, i cili është nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.

Pamjet tregojnë kolonë të armatosur me pushkë duke u përballur me një grup palestinezësh. Një video tjetër tregon një palestinez duke i marrë armën një koloni dhe më pas duke e qëlluar atë, në atë që duket si vetëmbrojtje. Më pas ushtarët izraelitë qëlluan dhe vranë palestinezin. Tre palestinezë të tjerë u vranë gjithashtu.

Ubai Al Aboudi, aktivist për të drejtat e njeriut nga Ramallahu, tha për Al Jazeera se sulmet e kolonëve ndaj fshatrave palestineze janë sistematike dhe kryhen me pandëshkueshmëri të plotë.

Ai i përshkroi ato jo si “incidente të izoluara”, por si diçka që “po ndodh në të gjithë Bregun Perëndimor”.

Ai përmendi sulmin ndaj fshatit Tal të premten, duke theksuar se i njëjti fshat ishte sulmuar edhe një javë më parë, më 18 korrik.

“‘Alpinistët’, siç i quajtën zyrtarët izraelitë, hynë në fshat, dogjën një shtëpi familjare ndërsa familja ishte ende brenda dhe ishte një mrekulli që banorët e Talit arritën ta nxirrnin familjen nga shtëpia para se të digjej”, tha Al Aboudi.

Edhe organizata “Human Rights Watch” i ka bërë thirrje qeverisë izraelite të ndërmarrë masa të menjëhershme për të parandaluar sulmet hakmarrëse të kolonëve ndaj palestinezëve.

“Qeveria izraelite nuk i parandaloi sulmet e kolonëve në fshatin Tal, prandaj tani duhet të ndalojë hakmarrjet e kolonëve dhe përshkallëzimin ushtarak që do ta përkeqësojë një situatë tashmë të rëndë”, tha Sarah Sanbar, hulumtuese në detyrë për Izraelin dhe Palestinën në Human Rights Watch.

“Vite të tëra paligjshmërie dhe pandëshkueshmërie për sulmet e kanë kthyer Bregun Perëndimor në një fuçi baruti që pret të shpërthejë dhe kërkohet urgjentisht një veprim vendimtar.” /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button