Kasami: Tetova është e plotë vetëm kur jemi bashkë me diasporën tonë!

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se në kuadër të manifestimit “Tetova n’festë” është mbajtur një panel diskutimi me temën “Diaspora dhe Tetova: Mes demografisë, kulturës dhe potencialit”, ku morën pjesë akademikë, sociologë, profesionistë dhe sipërmarrës nga mërgata.

“Sot, në Sallën e Këshillit Komunal, zhvilluam një panel diskutimi jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe përmbajtjesor me temën “Diaspora dhe Tetova: Mes demografisë, kulturës dhe potencialit”. Ky aktivitet, i organizuar në kuadër të manifestimit “Tetova n’festë”, bëri bashkë emra të shquar nga sfera akademike, sociologë, profesionistë dhe sipërmarrës të suksesshëm nga mërgata jonë.

Diskutuam shtruar dhe me argumente në dy sesione: fillimisht mbi anatominë, kulturën dhe shifrat e migrimit, dhe më pas u fokusuam mbi kapitalin intelektual, biznesin dhe rolin e jashtëzakonshëm të diasporës.

Ky takim na shërbeu si një platformë e shkëlqyer për të dëgjuar drejtpërdrejt idetë e tyre, për të marrë shembuj nga praktikat evropiane dhe për të gjetur mënyra reale se si ta integrojmë këtë potencial në qytetin tonë. Mërgimtarët i shohim si partnerë strategjikë, ambasadorë dhe udhërrëfyes në rrugëtimin e përbashkët drejt zhvillimit të Tetovës.

Falënderoj përzemërsisht të gjithë panelistët për analizat e thella dhe secilin qytetar që u bë pjesë e këtij debati konstruktiv! Urat që ndërtojmë sot bashkë, janë rruga e sigurt drejt së ardhmes”, ka shkruar Kasami.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button