Qeveria e shqyrton uljen e TVSH-së për derivatet e naftës

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria do të ndërhyjë me masa shtesë pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës.
Sipas tij, po analizohen nëse masat do të jenë të targetuara apo të përgjithshme, si në të kaluarën.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është edhe ulja e sërishme e TVSH-së për karburantet. Mickoski tha se pas shpalljes së gjendjes së krizës në të gjithë territorin e vendit, Qeveria ka mekanizmat ligjorë për të ndërmarrë hapa të tillë.
“E ndjekim situatën. Si Qeveri tashmë kemi marrë masë me uljen e një pjese të akcizave për benzinën dhe naftën, por fatkeqësisht çmimet në tregjet ndërkombëtare po rriten. Sot përsëri po afrohen kufirit psikologjik prej 100 dollarësh për fuçi, ndërsa konfliktet ushtarake në Gjirin Persik po intensifikohen”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se Qeveria po analizon llojin e ndërhyrjes, ndërsa theksoi se prioritet mbetet standardi i qytetarëve.
I pyetur nëse ekziston mundësia për uljen e TVSH-së për karburantet, Mickoski tha se kjo është një nga alternativat, edhe pse jo më e preferuara për shkak të ndikimit në të hyrat e buxhetit.
“Po, edhe kjo është një nga opsionet. Ndoshta është opsioni më pak i dëshiruar, sepse ndikon drejtpërdrejt në të hyrat e buxhetit, por për ne është i rëndësishëm standardi i qytetarëve. Kur është e nevojshme, si Qeveri duam t’u dalim në ndihmë qytetarëve”, tha Mickoski.



