Mexhiti: Nga sot nis një traditë e re kulturore për Çairin dhe Shkupin

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar nisjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, duke e cilësuar atë si një nismë që synon të shndërrohet në një traditë të përvitshme dhe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Shkupit.
“Nga sot nis edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, një nismë që synojmë ta shndërrojmë në një traditë të përvitshme dhe ta zhvillojmë në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Shkupit.
Në konferencën për media, së bashku me drejtorët artistikë Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti Kerliu, ministrin e Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani, kryetaren e Komisionit për Kulturë Saranda Imeri Stafai, drejtorin e festivalit Avni Qaili, drejtorin e Teatrit Shqiptar Ismet Ramadani dhe drejtorin e KIC-it, Imer Rexhepi, ndamë vizionin dhe rëndësinë e këtij festivali për jetën kulturore të qytetit.
Pas konferencës vizituam Kurshumli Hanin dhe Suli Hanin, ku do të zhvillohen netët e festivalit. Gjithçka është gati që, për katër mbrëmje me radhë, këto hapësira historike të mirëpresin artistë të njohur nga vendi dhe bota, duke i dhuruar publikut mbrëmje të veçanta me muzikë klasike, operë, flamenko dhe serenata korçare.
Ju ftoj të jeni pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia” dhe të ndajmë së bashku fillimin e një tradite të re kulturore për Çairin dhe Shkupin”, ka shkruar Mexhiti.



