BE-ja shpreh shqetësim mbi dekretimin e dorëheqjeve të prokurorëve serbë

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjen e prokurorëve serbë edhe pse prokurorët kishin bërë kërkesë që të tërheqnin dorëheqjet, transmeton Anadolu.

Përmes një deklarate për mediat në Kosovë nga zëdhënësja në Bruksel është shprehur shqetësim edhe me faktin që ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, të martën dekretoi dorëheqjet e prokurorëve serbë, pas kërkesës së KPK-së.

Këto vendime BE-ja i quan si jokompatibile me ligjin dhe kërkesat procedural dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

“Sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe sistemi i saj gjyqësor duhet të reflektojë diversitetin etnik të Kosovës. BE në vazhdimësi i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor të serbëve të Kosovës në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet nga dialogu”, thuhet në këtë deklaratë.

Tutje BE në deklaratë ka thënë se e mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura më 15 korrik 2026 nga ana e gjykatësve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë të Kosovës, por është e shqetësuar me vendimin e djeshëm të KPK-së për të pranuar dorëheqjet të cilat tashmë ishin tërhequr dhe me vendimin e sotëm të u.d. Presidentes Haxhiu për të dekretuar këto dorëheqje.

“Kjo duket të mos jetë në përputhje me ligjin, me procedurën e nevojshme dhe kërkesat nga sundimi i ligjit në Kosovë”, thuhet në këtë deklaratë të BE-së.

BE-ja ka ftuar të gjitha institucionet relevante të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës.

U.d. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të martën dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, që ishin dorëhequr në vitin 2022 pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe.

Për t’iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në vitin 2022 në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët, ndërsa në Këshillin Prokurorial të Kosovës 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button