Mickoski: Kodi Zgjedhor është pjesë e reformave për integrimin evropian

Kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë akuzat e LSDM-së se Qeveria po e mashtron opinionin publik kur pretendon se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të lidhura me integrimin evropian, duke theksuar se këtë e ka konfirmuar qartë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se kjo çështje meriton koment, pasi është e rëndësishme për qytetarët dhe për shtetin.
“Unë nuk është e nevojshme të më dëgjojnë mua, sepse në këtë rast nuk jam i rëndësishëm. Le ta dëgjojnë komisioneren evropiane Marta Kos. Ajo tha qartë se kjo është pjesë e reformave që janë të rëndësishme për integrimin evropian”, deklaroi Mickoski.
Ai akuzoi opozitën LSDM për, siç tha, standarde të dyfishta sa i përket agjendës evropiane.
“Disa politikanë në opozitë janë të çuditshëm. Kur bëhet fjalë për interesin e tyre, pra për xhepin e tyre, atëherë gojën e kanë plot me Evropën. Por kur duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të marrin vendime të rëndësishme, sidomos kur janë në opozitë, bëjnë gjithçka që ne të mos arrijmë atje ku duhet të arrijmë”, tha kryeministri.
Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë zbatimin e reformave dhe punën për realizimin e qëllimit strategjik – anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian.
“Me ta apo pa ta, ne do të vazhdojmë t’i realizojmë qëllimet strategjike, dhe kjo është anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian”, theksoi Mickoski.



