Arrestohet narkodileri “Cuna”, pas arratisjes si në filma nga stacioni policor dhe shpalljes në kërkim

I dyshuari për trafikim droge, Aleksandar Lazarov – Cuna, është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Shkup, konfirmojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Më 14.07.2026, pas informacioneve operative për një person ndaj të cilit MPB kishte shpallur fletarrest qendror dhe ndërkombëtar, zyrtarët policorë të Sektorit për Punë të Brendshme Shkup – Njësia e Kërkimeve e privuan nga liria Aleksandar Lazarovin (41) nga Koçani. Për Aleksandar Lazarovin ishte shpallur fletarrest me kërkesë të Gjykatës Themelore të Koçanit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale sipas nenit 215, paragrafi 1 i Kodit Penal. Personi është dërguar në Stacionin Policor Kisella Vodë për procedura të mëtejshme”, njoftoi policia mëngjesin e sotëm.

Lazarov disa ditë më parë ishte arratisur nga stacioni policor në Koçan duke dalë nga dritarja, ndërsa të hënën Ministria e Punëve të Brendshme kishte shpallur ndaj tij edhe fletarrest ndërkombëtar.

Lazarov, i njohur më parë për policinë, ndodhej në stacionin policor mbrëmjen e së shtunës pasi ishte arrestuar së bashku me dy persona të tjerë. Sipas informacioneve jozyrtare, policia në automjetin e tyre kishte gjetur një substancë të bardhë pluhur, që dyshohet të jetë lëndë narkotike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button