Kosovë, Zejnullah Gashi dekretohet si Kryeprokuror i Shtetit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës. Albulena Haxhiu, e ka dekretuar Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të Shtetit, raporton Anadolu.
Haxhiu e dekretoi Gashin në detyrën e udhëheqësit më të lartë të sistemit prokurorial në vend, pas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Emërimi i Gashit si Kryeprokuror i Shtetit vjen pasi Kosova ka qenë pa kryeprokuror për gati katër vjet.
Haxhiu e priti në takim Gashin, ku ia dorëzoi dekretin për emërimin e tij dhe tha se vendosi ta dekretojë Gashin pas shqyrtimit “të kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës të materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes”.
“Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial tha se me nënshkrimin e dekretit nga Haxhiu, është përmbyllur procedura kushtetuese dhe ligjore e emërimit të tij në krye të sistemit prokurorial të Kosovës.
Gashi do të jetë kryeprokuror i Shtetit për një mandat shtatë vjeçar.



