Kavazoviq pas namazit të xhenazes në Potoçari: Harresa do të ishte një krim i ri ndaj viktimave të Srebrenicës

Pas faljes së namazit të xhenazes për dhjetë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, të pranishmëve iu drejtua Reisul-ulema i Bashkësisë Islame, Husein ef. Kavazoviq, i cili përcolli një mesazh prekës dhe më pas bëri lutje (dua).
Mesazhi i tij preku thellë emocionet e të pranishmëve, duke rikujtuar edhe një herë se harresa nuk duhet të ketë vend as në nënvetëdijen e asnjë boshnjaku.
“Të qëndrosh në këtë vend në Potoçari do të thotë të qëndrosh përballë pasqyrës së ndërgjegjes njerëzore. Këtu, ku toka ruan eshtrat e mijëra etërve, bijve dhe vëllezërve të vrarë pafajësisht, fjalët e humbasin çdo fuqi. Heshtja që na rrethon dhe që e ndiejmë nuk është boshllëk – ajo është zëri më i fuqishëm i historisë që na paralajmëron.”
Ai tha se varrezat nuk janë vetëm një kujtim i së kaluarës, por edhe një aktakuzë e përhershme kundër krimit dhe urrejtjes.
“Nishani që kemi përpara syve nuk është vetëm një monument i së kaluarës; ai është një aktakuzë e përhershme kundër krimit dhe urrejtjes, por edhe një kujtesë e përjetshme për detyrimin që e mbajmë të gjithë ne që kemi mbetur pas tyre. Detyra jonë nuk është vetëm të vajtojmë. Është detyra jonë e shenjtë të kujtojmë dhe të luftojmë. Të themi me zë të lartë të vërtetën atëherë kur të tjerët do të donin ta heshtnin. Të ruajmë dinjitetin e çdo viktime të gjenocidit, sepse harresa do të ishte një krim i ri ndaj atyre që nuk janë më.”
Kavazoviq vlerësoi gjithashtu forcën dhe dinjitetin e nënave të Srebrenicës, duke thënë se ato zgjodhën rrugën e së vërtetës dhe drejtësisë në vend të hakmarrjes.
“Në këta nishanë të bardhë ne nuk shohim vetëm jetët e ndërprera të bijve, etërve dhe vëllezërve tanë, por njohim edhe guximin e pamasë të nënave të Srebrenicës. Ato, pavarësisht dhimbjes së paimagjinueshme, zgjodhën rrugën e së vërtetës dhe drejtësisë në vend të hakmarrjes dhe mallkimit. Forca dhe shembulli i tyre janë një mësim për mbarë botën se si përballohet me dinjitet dhimbja dhe si luftohet me guxim për të vërtetën dhe drejtësinë.”
Në fund të fjalës së tij, Reisul-ulema bëri thirrje që Srebrenica të mbetet një paralajmërim i përhershëm për njerëzimin.
“Le të jetë ky harem i dhimbjes një paralajmërim i përhershëm se e keqja rritet aty ku njerëzit e mirë heshtin. Le të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që kjo e keqe të mos përsëritet. Le të premtojmë sot, para këtyre nishanëve të bardhë, se Srebrenica nuk do të përsëritet. Le të premtojmë sot se nuk do të jemi naivë dhe nuk do të presim mëshirë nga të tjerët, kur e dimë se ajo nuk do të vijë.”
Pas fjalimit, Husein ef. Kavazoviq udhëhoqi një lutje të përbashkët.
Në heshtjen e varrezave, ndërsa nënat, familjarët dhe besimtarë të shumtë ishin mbledhur pranë nishanëve, fjalët e tij u shndërruan në lutje për shpirtrat e dëshmorëve, për forcën e atyre që mbetën gjallë dhe si një paralajmërim për mbarë botën.
Lutja ishte një moment durimi, kujtese dhe bashkimi, ku dhimbja u shndërrua në forcë, ndërsa kujtesa në një zotim se një krim i tillë nuk duhet të përsëritet kurrë.



