Tensionet në rritje, raportohet për shpërthime në lindje të Teheranit

Mediat iraniane raportuan të shtunën për një shpërthim në lindje të Teheranit, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar për ngjarjen.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, një zhurmë e fortë shpërthimi u dëgjua në pjesën lindore të kryeqytetit iranian. Edhe media shtetërore konfirmoi se shpërthimi u dëgjua në lindje të provincës së Teheranit.
Banorë të zonave Pakdast dhe Qiyamdast thanë se dëgjuan shpërthimin, por deri më tani nuk është bërë e ditur vendndodhja e saktë apo shkaku i tij. Megjithatë, Fars, duke cituar një zyrtar, raportoi se zhurmat lidhen me një operacion të kontrolluar për asgjësimin e materialeve shpërthyese, duke lënë të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një sulm apo incident të papritur.
Autoritetet iraniane nuk kanë raportuar për viktima apo dëme materiale, ndërsa pritet të publikohen më shumë detaje në vijim.



