VLEN: Mbi 7 milionë euro investime- Tetova po ndryshon me projekte konkrete

VLEN vlerëson se Tetova po përjeton një transformim të dukshëm përmes projekteve infrastrukturore dhe investimeve konkrete, duke theksuar se premtimet e dikurshme po shndërrohen në vepra falë qeverisjes ku koalicioni është pjesë e vendimmarrjes.
Në një njoftim për media, VLEN veçon promovimin e rikonstruimit të rrugës “Shtipi”, të realizuar nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me zëvendësministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Sipas VLEN-it, projekti, me vlerë mbi 17.5 milionë denarë, përfshiu rikonstruimin e plotë të rrugës, ndërtimin e kanalizimit atmosferik, trotuareve, ndriçimit publik dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore, duke përmirësuar sigurinë dhe cilësinë e jetës për banorët e zonës.
Nga koalicioni theksojnë se gjatë dy viteve të fundit janë siguruar mbi 7 milionë euro për realizimin e 29 projekteve infrastrukturore në Komunën e Tetovës, nën drejtimin e kryetarit Bilall Kasami.
“Kjo është dëshmi e qartë se kur ka vullnet politik dhe përgjegjësi, projektet realizohen dhe qytetarët përfitojnë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni shton se fokusi i tij mbetet te investimet dhe rezultatet konkrete, duke theksuar se “VLEN nuk merret me propagandë dhe premtime boshe. Ne sjellim investime, zhvillim dhe rezultate konkrete në çdo komunë ku jetojnë qytetarët tanë. Me VLEN, puna shihet në terren.”



