Vidhet bankomati në “Vero Xhambo”, autorët marrin një shumë të madhe parash

Një vjedhje e guximshme ka ndodhur gjatë natës në qendrën tregtare “Vero Xhambo” në komunën Qendër të Shkupit, ku disa persona ende të paidentifikuar kanë hapur me forcë një bankomat të Sparkasse Bank dhe kanë marrë një shumë të madhe parash.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), rasti është denoncuar sot në SPB Shkup, ndërsa vjedhja ka ndodhur rreth orës 03:15.
Pasi kanë hapur me forcë bankomatin, autorët kanë marrë paratë dhe janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, para mbërritjes së policisë.
Nga MPB njoftojnë se po ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për zbardhjen e rastit, sigurimin e provave materiale, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në rrjetet sociale, ku qytetarët pyesin se si ka qenë e mundur që një vjedhje e tillë të ndodhë në zonën qendrore të qytetit, në një objekt dhe hapësirë me frekuentim të lartë të njerëzve.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me ngjarjen as nga Sparkasse Bank, e as nga kompania “Vero”.



