Izraeli ndan informacione të inteligjencës me SHBA-në për një “komplot” të pretenduar iranian për vrasjen e Trumpit

Izraeli i ka dhënë SHBA-së informacione të reja të inteligjencës, për të cilat pretendon se tregojnë një komplot iranian për vrasjen e presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu.
Duke rikujtuar se Irani prej vitesh ka premtuar hakmarrje ndaj Trumpit për vrasjen më 3 janar të vitit 2020 të komandantit të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), Qassem Soleimanit, një raport nga The Wall Street Journal, duke cituar persona të njohur me çështjen, tha se inteligjenca e re mund të përshkallëzojë më tej konfliktin mes Washingtonit dhe Teheranit.
Ambasada e Izraelit në Washington thuhet se refuzoi të komentojë, ndërsa Misioni i Iranit pranë OKB-së nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Shtëpia e Bardhë e drejtoi The Wall Street Journal, te komentet që Trump bëri të mërkurën gjatë Samitit të NATO-s në kryeqytetin turk Ankara.
“Ata duan të eliminojnë udhëheqësin e SHBA-së, mua. Jam në çdo listë. E pashë këtë mëngjes, jam në secilën prej listave të tyre. Dhe deri tani, mendoj se kam pasur pak fat, por kjo ndoshta nuk do të zgjasë shumë”, tha ai.
Pavarësisht tensioneve të fundit me Iranin, Trump dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se zhvilluan një bisedë telefonike të enjten dhe ranë dakord të vazhdojnë koordinimin.
Irani dhe SHBA-ja kanë shkëmbyer sulme gjatë dy ditëve të fundit, mes një përshkallëzimi të situatës pas sulmeve iraniane ndaj tre anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Dje, Teherani nisi një seri sulmesh ndaj infrastrukturës ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt, Katar dhe Jordani, si hakmarrje ndaj sulmeve amerikane të natës së dytë radhazi.



