Dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut shërbyen gati 2 milionë pasagjerë në gjashtë muajt e parë të vitit

Dy aeroportet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër, kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të trafikut ajror gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga TAV Maqedoni, në periudhën janar–qershor përmes dy aeroporteve kanë udhëtuar gjithsej 1.955.648 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 28 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 13.167 fluturime, ose 7,6 për qind më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Vetëm në muajin qershor, dy aeroportet kanë shërbyer 374.714 pasagjerë, që është 15,6 për qind më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, vlerësoi se rritja prej 28 për qind e numrit të pasagjerëve është dëshmi e zhvillimit të qëndrueshëm të aviacionit në vend.

“Rritja prej 28 për qind e numrit të pasagjerëve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 është një rezultat i jashtëzakonshëm dhe një konfirmim i qartë se aeroportet maqedonase janë në rrugën e një zhvillimi të fortë dhe të qëndrueshëm. Në industrinë e aviacionit, një rritje dyshifrore e trafikut të pasagjerëve është tregues i një strategjie të suksesshme, besimit në rritje të udhëtarëve dhe atraktivitetit për kompanitë ajrore”, deklaroi Kurt.

Ai shtoi se fakti që dy aeroportet kanë shërbyer pothuajse dy milionë pasagjerë brenda vetëm gjashtë muajve, duke regjistruar njëkohësisht edhe rritje të numrit të fluturimeve, është rezultat i investimeve në lidhjet ajrore, përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve dhe bashkëpunimit me partnerët.

Sipas statistikave, Stambolli (përmes aeroporteve IGA dhe Sabiha Gökçen) mbetet destinacioni më i frekuentuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, me 14,2 për qind të trafikut të përgjithshëm të pasagjerëve. Pas tij renditen Memingeni (4,5%), Basel-Mulhouse (4,4%), Dortmundi (4,1%), Cyrihu (4%) dhe Frankfurti (3,9%).

Pesë vendet me numrin më të madh të fluturimeve direkte nga Shkupi janë Gjermania (28,5%), Turqia (18%), Zvicra (9,3%), Italia (8,2%) dhe Suedia (5,8%).

Veçmas, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit shënoi një rritje vjetore prej 28,6 për qind, me 1.833.010 pasagjerë dhe 12.260 fluturime, ose 6,5 për qind më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, Aeroporti i Ohrit regjistroi një rritje prej 18,2 për qind, me 122.638 pasagjerë në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërsa numri i fluturimeve arriti në 907, që paraqet një rritje prej 26 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button