SHBA do të mbikëqyrë tërheqjen e Izraelit nga zonat në Libanin jugor

Shtetet e Bashkuara do të mbikëqyrin tërheqjen e forcave izraelite nga të ashtuquajturat “zona pilot” në jug të Libanit, ndërsa faza e parë pritet të nisë brenda pak ditësh, kanë bërë të ditur zyrtarë libanezë dhe amerikanë.
Një zyrtar amerikan deklaroi se bisedimet e reja mes Izraelit dhe Libanit do të zhvillohen javën e ardhshme, pasi më herët një burim diplomatik i tha AFP-së se Libani kishte kërkuar tërheqjen e forcave izraelite nga këto zona si kusht për pjesëmarrjen në negociata.
“Zona e parë pilot do të nisë brenda pak ditësh, ndërsa zona të tjera pilot janë duke u hartuar dhe planifikuar,” tha zyrtari amerikan, duke folur në kushte anonimiteti.
Sipas tij, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) do të koordinojë zbatimin e këtij procesi me të dyja palët.
“Shumë shpejt do të fillojmë kontaktet me partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar qeverinë libaneze që të rivendosë në mënyrë efektive sovranitetin në këto zona dhe më gjerë në të gjithë vendin,” shtoi zyrtari amerikan.



