Publikohet Indeksi Global i Pasaportave: Suedia kryeson renditjen, Maqedonia e Veriut në vendin e 78-të

Është publikuar edicioni i pestë i Indeksit Global të Pasaportave, i cili rendit shtetet bazuar në cilësinë e jetës, lirinë e udhëtimit dhe atraktivitetin për investime.

Ndryshe nga Indeksi i Pasaportave Henley, i cili publikohet çdo tre muaj dhe bazohet kryesisht në numrin e vendeve ku qytetarët mund të udhëtojnë pa vizë, ky indeks vjetor i përgatitur nga Global Citizen Solutions merr në konsideratë tre kritere kryesore: lirinë e udhëtimit, atraktivitetin për investime (mjedisin tatimor dhe konkurrueshmërinë ekonomike) si dhe cilësinë e jetës (sistemin shëndetësor dhe infrastrukturën sociale).

Sipas këtij vlerësimi, pasaporta më e fuqishme në botë i takon Suedisë, e cila u rendit e 11-ta për lirinë e udhëtimit, e nënta për atraktivitetin ndaj investimeve dhe e dyta për cilësinë e jetës.

Në vendin e dytë renditet Zvicra, ndërsa Finlanda zë vendin e tretë. Singapori, megjithëse renditet i 115-ti për cilësinë e jetës, falë vendit të parë për lirinë e udhëtimit dhe atraktivitetin për investime, është renditur i dhjeti në klasifikimin e përgjithshëm.

10 pasaportat më të fuqishme në botë sipas Global Citizen Solutions:

Suedia
Zvicra
Finlanda
Gjermania
Holanda
Danimarka
Irlanda
Mbretëria e Bashkuar
Norvegjia
Singapori

Raporti veçon edhe rënien e Shteteve të Bashkuara, të cilat dikur kryesonin renditjen, ndërsa tani ndodhen në vendin e 12-të. Sipas raportit, pasaporta amerikane ka shënuar rënien më të madhe mes vendeve të G7 gjatë pesë viteve të fundit.

Nga vendet e ish-Jugosllavisë, pasaporta më e fuqishme është ajo e Sllovenisë, e renditur në vendin e 37-të, e ndjekur nga Kroacia në vendin e 42-të. Serbia renditet e 66-ta, ndërsa Mali i Zi në vendin e 71-të. Maqedonia e Veriut zë vendin e 78-të, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina renditet e 83-ta.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button